Besa, me dy mungesa në Shkodër

Fatmir Efica

Përgatitjet për transfertën ndaj Vllaznisë B te Besa janë duke ecur me intensitet. Puna stërvitore ka synuar rikthimin e menjëhershëm të asaj bindje që kjo Besa i ka të gjitha kapacitetet të hedhë “prapa krahëve” një humbje si ajo me Egnatian dhe të bëj autokritikën në Shkodër.

DËMTIMET – Sulmuesi Emrush Kaloshi ka një shqetësim në kavilje dhe duket se nuk do të jetë në dispozicion të ekipit për ndeshjen e kësaj fundjave në Shkodër. Lojtari është duke aplikuar një program special dhënë nga mjeku fizioterapist i Besës, Ferdinant Bardhi. Ky i fundit, theksoi se mundet ndoshta që në rast të riaftësimit të shpejtë, brenda 3-4 ditëve, Emrush Kaloshi edhe mund të udhëtojë me skuadrën, por me cilësinë e lojtarit që mund të vihet në dispozicion së bashku me lojtarë të tjerë që te skuadra kavajase kanë ardhur duke e përmirësuar vazhdimisht nivelin e tyre. Përsa i takon mesfushorit Mirel Duka dëmtimi i tij i mëparshëm ka kaluar.

SKUALIFIKIMI – Mungesa e sigurt e Besës është qendërmbrojtësi Ervis Kaja që në takimin e fundit ndaj Egnatias u penalizua me karton të kuq dhe do të mungojë vetëm për një ndeshje. Kaja i përket lojtarëve me përvojë të madhe por mungesa e tij do të zgjidhet nga stafi teknik nëpërmjet një “balotazhi” mes disa lojtarëve që kanë mundësinë konkrete të luajnë në këtë rol krahas lideri t këtij reparti Erand Hoxha. Duhet thënë, se kartoni i kuq marrë nga Ervis Kaja është i pari për skuadrën kavajase në këto 6 javë të startit.

Afrohen dy të rinj

Krahas dyshes Denis Brahimaj e Tedi Cara, njëri me dy sezone e tjetri me një përvojë të parë në Kategorinë e Parë, te Besa tani janë edhe dy të rinj të tjerë të talentuar që po stërviten me ekipin e të rriturve. Bëhet fjalë për Arbër Deliun një sulmues të datëlindjes 2000 që në ndeshjen e fundit të kampionatit U-19 shënoi dy gola ndaj “A.F. Dinamos” si dhe mesfushorin “robust” Geri Selita i datëlindjes 2001 që vjen nga skuadra U-17 e cila ndodhet në tre ekipet kryesuese. Afrimi i tyre dhe stërvitja me të rriturit është një sinjal i asaj pune të gjithanshme për të afirmuar futbollistët e rinj të talentuar kavajas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *