Mesfushori i talentuar kosovar shpalos synimet konkrete që ka skuadra e tij sot ndaj Erzenit
Fatmir Efica
Bler Thaçi është ndër të parët futbollistë që Besa afroi gjatë kësaj periudhe dimërore. Mesfushori me tipare sulmuese është përshtatur me karakteristikat e lojës së Besës. Futbollisti 19-vjeçar që vjen nga skuadra e KEK-ut, por është me origjinë nga Suhareka, po evidenton teknikë e fantazi, lojë të shpejtë në “fashën” e djathtë të mesfushës dhe me karakteristikat që ka i vjen shumë në ndihmë edhe sulmit. Në lidhje me sfidën e sotme ndaj Erzenit në transfertë, Thaçi përmend si element themelor motivimin dhe ambicien e skuadrës kavajase që do të jetë sipas tij në fushë në nivelet maksimale. “Kemi punuar fort gjatë kësaj periudhe të parë të vitit dhe jemi gati në të gjithë komponentët sportiv për të përballuar denjësisht çdo sfidë si jashtë fushës sonë ashtu dhe në Kavajë. Vëmendja e publikut sportdashës pas shumë ndryshimeve që janë bërë në radhët e skuadrës më duket mjaft interesante duke shërbyer si një nxitje e madhe për ne. Besa ka qenë dhe mbetet një ekip me emër e traditë të madhe në futbollin shqiptar. Kjo është arsyeja përse zgjodha të bëhen pjesë e këtij ekipi”, – u shpreh fillimisht kosovari Thaçi.
SULMI – “Fakti që në ndeshjen e fundit miqësore ndaj Ballkanit të Suharekës, Besa shënoi pesë gola, është një sinjal i qartë që ofensiva funksion, – u shpreh dje pas seancës stërvitore, talenti kosovar i skuadrës kavajase Bler Thaçi. “Ambicia jonë është e qartë edhe ndaj Erzenit. Kërkojmë fitoren në këtë ndeshje që padiskutim e dimë se ka vështirësitë e veta. Por, ne jemi përgatitur seriozisht për të arritur një rezultat pozitiv. Objektivi i vënë nga drejtuesit e skuadrës mbi përfshirjen e Besës sa më shpejt që të jetë e mundur brenda pesëshes së parë, e konsideroj krejtësisht të mundshëm për ta përmbushur me sukses”.
TRE “ISH-ët” – Në formacionin e Besës do të zbresin në fushë si titullarë tre ish-futbollistë që janë aktivizuar më parë me Erzenin. Konkretisht qendërmbrojtësi Myslim Ramilli, mesfushori Alfred Deliallisi dhe sulmuesi Armand Pasha. Forma e këtyre lojtarëve është evidentuar pozitivisht gjatë kësaj periudhe të fundit ku edhe premisat për të shfaqur potencialin e tyre do të jenë evidente në shërbim të fanellës verdhezi. Miqësia e sportiviteti, respekti dhe korrektesa në fushë dhe jashtë saj, urojmë ta karakterizojë ndeshjen e sotme, – u shprehën dje njëzëri “ish-ët” e Erzenit.
Formacioni i mundshëm: Miraka, Perja, Dikson, De. Brahimaj, Ramilli, Mihani, Deliallisi, Br. Brahimaj, Thaçi, Pasha, Onu. Trajner: B. Sinella.