Humbja e dytë në shtëpi për Besën dhe e treta radhazi e distancojnë ndjeshëm me pikë Besën nga kryesuesit e Kastriotit. Krutanët falë aftësive të tyre e zunë dje Besën “shah mat”. Arritën miqtë ta kontrollonin më mirë lojën më të gjitha aspektet. Mbyllën e ngushtuan dukshëm hapësirat e manovrimit për Besën.
Ndonëse kavajasit në pjesën e dytë përmirësuan lojën e tyre, goditën një shtyllë e shpërdoruan edhe disa raste të tjera të mira, Kastrioti falë grintës së admirueshme ja doli jo vetëm që të ruante epërsinë nga ai eurogol që realizoi Çutra në 30’ nëpërmjet një goditje dënimi, por shumë herë ta vinim portierin dhe mbrojtjen e Besës në situata alarmuese. Miqtë e kërkuan me ngulm golin e qetësisë e të sigurisë që, edhe pse nuk doli në dritë, nuk e zbehu aspak meritën e fitores së një tripikëshi tepër të çmuar karshi një Bese që dje nuk ka bindur.
Në pjesën e parë Besa paraqiti probleme në të gjitha repartet. Por dhe ritmi i ulët i lojës, mos zotërimi i hapësirave me dhe pa top për të administruar më mirë rrjedhën e lojës, bënë që Besa të vuante jo pak si nga gabimet e saj, po ashtu dhe nga stili i “lexueshëm” dhe lehtësisht i thyeshëm i atyre aksioneve që mbeten më tepër në kuadrin e “sforcimit” për të mos dalë të mundur nga ky takim ndaj një rivali direkt. Kastrioti ndërkohë dha një leksion brenda në Kavajë, duke shkuar +6 nga vendi i dytë dhe +8 nga Besa.