Besa buzë greminës, katër muaj errësirë

0

Kavajasit 120 ditë pa fituar asnjë takim. Në 11 javët e fundit kanë shënuar vetëm dy gola. Prekja me fundin e tabelës së renditjes duket qartë se nuk ka ardhur rastësisht

Fatmir Efica

Dy barazimet e fundit pa gola të Besës ndaj Egnatias në transfertë dhe në Kavajë ndaj Vllaznisë B, janë pikë të fituara, por që duhet thënë hapur se pak kanë shërbyer që skuadra të “kapërcejë” apo kalojë krizën e mungesës së rezultateve. Një krizë e një lloji krejt të veçantë. E paparë dhe që kurrë më parë nuk u ka ndodhur kavajasve një situatë kaq e komplikuar. Tashmë, Besa ka kundër edhe statistikat. Ka që nga 21 tetori 2017 kur fitoi në Burrel 3-1 që ekipi verdhezi në 11 javë radhazi nuk ka arritur të fitojë asnjë ndeshje. Por më keq akoma janë edhe faktet në lidhje me mungesën e shënimit të golave që, vërtetë është ndër më të ulëtat e të gjithë historisë së futbollit 93-vjeçar kavajas. Vetëm në javën e 6-të dhe 11-të, respektivisht në humbjet tronditëse shtëpiake, madje ndër më të rëndat e viteve të fundit që Besa ka pësuar 1-5 me Egnatian dhe 1-4 me Besëlidhjen, skuadra e Besës ka shënuar vetëm dy të ashtuquajtur “gola nderi”. Mos u çuditni me mesataren më të rrallë dhe më të ulët të shënimit që ekipi Besa ka në 11 javët e fundit, vetëm 0.18 gola. Ose thënë ndryshe as çerek goli për ndeshje?!…Përtej kësaj gjendje të vështirë ku Besa ndodhet, duke qenë se janë veçmas dy ndeshjeve të fazës së dytë edhe 8 takime të tjera për fazën e tretë (do luajë në pesëshen e dytë për vendet 6-10), të gjithë shpresojnë se Besa do ta shmangë “katastrofën. Statistikat e mësipërme “flasin”. Ato nuk janë rastësore. Ekipi me mjaft tradita tani duhet të “luftojë” edhe kundër tyre…

SKUADRA – Të tjerë futbollistë kishte në 12 javët e para e të tjerë lojtarë ka tani pas ristarit të gjysmës së dytë të këtij sezoni. Mbështetur te numri i ndeshjeve ku janë aktivizuar del se Besa ka përfshirë në organikën e saj në këto 16 javë të kampionatit 29 lojtarë. Skuadra duket qartë se ka vuajtur shumë për të pasur stabilitet sportive. Janë bërë “eksperimente” pa fund në kushte gare që kanë rënduar klimën e përgjithshme aq shumë të rënduar të mungesës konkrete të rezultateve sidomos në 11 javët e fundit. Koha e nevojshme për të siguruar harmonizimin e stilit të të luajturit ka qenë në disfavor të drejtuesve që kur nisën përgatitjet verore me vonesë, por edhe tani në dimër duke ndërruar “pa doganë” shumë emra e zëvendësuar me të tjerë që nuk kanë sjellë asnjë “produkt”. Përpunuar i manovrës në funksion të rezultateve sa më të mira kërkon kohën e vet. Si largimi i lojtarëve ashtu dhe afrimi gjatë muajit të kaluar e disa emrave të tjerë tregon se është gabuar me këtë stil “pa frena” të lëvizjeve që duket se nuk kanë sjellë efektet e dëshiruara. Besa momentalisht po hedh në erë një sezon që e nisi mjaft mirë dhe çuditërisht tani po vetë e ka përkeqësuar.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.