Në Gjermani nuk ka fund debati në lidhje me lënien jashtë kombëtares së talentit të Mançester Sitit Leroj Sane, ndërkohë që dje bënë bujë edhe fjalët e mbrojtësit Mats Humels: “Leroj Sane nuk ka të njëjtin statut si Tomas Myler apo Mesut Ozil. Ndonjëherë duhet kohë që të arrish në kombëtare atë statut që ke arritur në nivel klubi. Mund të vihet re lehtë që djemtë e ardhur nga ekipet e të rinjve, edhe te Bajerni, janë krejt ndryshe nga të rinjtë e 10-12 viteve më parë. Ky është një brez i ri. Ata karakterizohen nga sjellje e ndryshme, si për shembull në rrjetet sociale”.
Kjo histori ka bërë që të reagojë edhe një emër shumë i njohur i futbollist gjerman, ish-trajneri i kombëtares Berti Vogst, i cili ka kritikuar ashpër trajnerin aktual Joakim Lëv, si dhe Humelsin.
“Lëv nuk duhej të merrte 27 lojtarë në kombëtare dhe më pas të largonte 4 prej tyre. Është e padrejtë dhe i lëndon shumë lojtarët, të cilët nuk e kuptojnë pse duhet të largohen, sidomos kur luajnë te Mançester Siti. Fare mirë mund të kishte marrë menjëherë 23 dhe nuk do ishin krijuar shumë polemika. Nëse dëmtohej dikush, lojtarët aty janë. Tani po flitet më shumë për zgjedhjet e Lëvit, sesa për futbollin në fushë, ndërsa nëse nuk shkëlqejmë ndaj Arabisë Saudite në miqësore, sërish do nisin polemikat pse nuk grumbullohet një lojtar si Sane, i aftë të depërtojë në mbrojtjet e ngjeshura”, u shpreh Vogst, i cili i kthehet Humelsit më pas.
“Nuk është sjellja e duhur që dikush si Humels të dalë në media dhe të flasë për të rinjtë e sotëm. Na duhen të rinj, ata janë e ardhmja, gjaku duhet ndërruar sa më shpesh në kombëtare. Për këtë arsye, nuk i kuptoj deklaratat e fundit të Humelsit. Ai mendon se të rinjtë nuk kanë statusin e veteranëve? Interesante ta thotë Humels, i cili ka luajtur që 19 vjeç te Dortmundi dhe shpesh thoshte gjëra paksa të tepruara për moshën e tij, ndërsa tani i sheh të rinjtë nga lart poshtë, a thua se nuk ka qenë kurrë i ri vetë. Nuk duhet folur ashtu, nëse Humels ka diçka për t’u ankuar, duhet ta bëjë brenda ekipit. Si një lojtar me eksperiencë, ai duhet t’i udhëheqë dhe t’i edukojë të rinjtë, nuk jemi në tenis, ku secili mundohet të fitojë trofeun. Kur isha i ri, në ditën e debutimit në kombëtare po bëja disa ushtrime që i bëja te Gladbahu, por dikush erdhi dhe më tha: ‘Shiko, në kombëtare i bëjmë gjërat ndryshe’. Lojtarë si Humels dhe Boateng duhet ta mbajnë skuadrën të bashkuar”.