Bernard Berisha këtë sezon ka vuajtur shumë: shpesh në stol, vetëm 11 herë titullar dhe rrallë i ka mbyllur 90 minuta në fushë. Transferimi nga Anzhi tek Ahmat Grozni për 2.5 milionë euro para një viti u mendua si një hap i madh përpara, por në Çeçeni mesfushori i Kosovës nuk e ka pasur të lehtë.
Gjithsesi, sot ka qenë dita e Bernard Berishës, sepse ish-futbollisti i Skënderbeut mahniti në Moskë, duke qenë vendimtar në fitoren 3-1 që Ahmati mori ndaj Spartakut të Moskës.
Ishte një ndeshje tepër delikate, sepse Spartaku kërkonte vendin e dytë në renditje, ndërsa Ahmati është pranë fundit të tabelës, por në fund ka buzëqeshur ekipi i shqiptarëve, me Berishën që dha asistin për golin e parë në minutën e 11-të dhe shënoi golin e tretë të ndeshjes në minutën e 50-të, duke shuar përfundimisht shpresat e Spartakut për kthesë. “Më në fund Bernardi është çliruar psikologjikisht dhe po e shijon të qenit të fushë, u soll në mënyrë perfekte”, u shpreh pas ndeshjes trajneri i Ahmatit, Igor Ledjakov.
Edhe Bekim Balaj në fushë për 77 minuta, duke treguar se fizikisht është kthyer në formë perfekte, ndërsa Odise Roshi u fut në minutën e 74-t.