Ekipi i Lilës shfaqi interes për portierin e Shqipërisë dhe Atalantës, Etrit Berishën. Klubi francez trokiti në dyert e klubit italian dhe shprehu interesin për shtatlartin. Drejtuesit e ekipit të ligës së parë franceze ishin të gatshëm të dëgjonin pretendimet e skuadrës zikaltër dhe të bënin gati ofertën.
Dëshira e tyre për të marrë Berishën ishte serioze, por italianët u përplasën dyert në fytyrë francezëve: “Titi nuk lëviz, do të jetë portieri ynë për sezonin e ri!”, – ishte pak a shumë përgjigjja e drejtuesve italianë. Mediet përtej Adriatikut raportojnë se se Atalanta i ka kthyer përgjigje negative francezëve.
Berisha është titullar i padiskutueshëm në klubin italian dhe një pikë e fortë e Atalantës. 29-vjeçari do të luajë sezonin e tij të tretë te skuadra nga Bergamo. Në verë u mendua se klubi italian donte ta shiste portierin, por tani politika ka ndryshuar me 180 gradë.