Atalanta duhej të luante sot ndaj Juventusit, por sfida u shty nga bora. Megjithatë, formacioni zyrtar i Atalantës, publikuar para ndeshjes, bëri që në Itali të shpërthenin ofendimet dhe ironia ndaj skuadrës së Etrit Berishës, me trajnerin Xhanpiero Gasperini në shënjestër. “Turp”, “përtacë”, “kot që shkuat në Torino”, “forca Dortmund”, ishin disa nga shprehjet që kanë përmbytur faqen e Atalantës në Twitter dhe në përgjithësi rrjetet sociale.
Arsyeja? Trajneri i Atalantës vendosi të linte pushim 9 nga 11 titullarët e së enjtes, që u ndeshën me Dortmundin në Europa League. Lodhja mund të shërbejë si justifikim për të lënë jashtë 2-3 lojtarë, por nëse lë 9 të tillë, kjo është tallje me kampionatin dhe tifozët, përveçse mungesë korrektësie e ndershmërie. Nëse lodhen aq shumë, më mirë ta lënë futbollin, sepse për aq para sa marrin futbollistët e Serisë A, shumë njerëz do luanin dhe çdo ditë.