Nga Klaudio Ndreca
Në këto ditët e fundit ka një diskutim të zjarrtë për temën e Koronavirusit, nëse kjo pandemi ka ekzistuar më herët apo jo. Shumë persona mbështesin tezën se COVID-19 ka qarkulluar më herët dhe ne kemi bashkëjetuar me të, por pa e ditur se ekzistonte.
Vetë OBSH ka nxjerrë njoftim vetëm në fundin e muajit shkurt për këtë virus dhe simptomat e tij, që të njihej edhe nga mjekësia. Pra të gjitha rastet e mëparshme nuk diagnostikoheshin si me COVID-19, edhe pse kishte të tilla, por kalonin si virozë gripale.
Edhe luftëtari shqiptar i MMA, Denis Buzukja ka plasur bombën, duke u shprehur se e ka kaluar Koronavirusin që në janar. Këtë e ka mësuar falë testit të antitrupave, megjithëse e dinte më herët, pasi ka pasur të njëjtat simptoma me të infektuarit nga kjo pandemi. Për më tepër Buzukja shprehet se është stërvitur duke qenë i infektuar, ndërsa në shkurt kishte një përballje për titullin kampion. Këtu duhet të theksojmë se luftëtari në fjalë jeton në Amerikë, ndërsa COVID-19 është zbuluar rasti i parë zyrtar shumë kohë më vonë.
“Kam qenë shumë sëmurë në janar përpara se të luftoja për titulll dhe unë zakonisht nuk sëmurem kollaj, e për më tepër në atë mënyrë. Isha në shtrat për katër ditë dhe as nuk mund të haja shumë, madje duke humbur edhe shijen . E ndieja sikur të fusja baltën në gojë. Megjithatë duhej që të kthehesha në stërvitje, edhe pse nuk isha mirë pasi duhet të luftoja patjetër për ndeshje të rëndësishme.
Kjo do të thotë se unë jam stërvitur me shokët e mi gjatë kohës që isha sëmurë. Pas stërvitjes ndihesha shumë i lodhur dhe mushkritë ishin të tendosura, nuk kisha fare fuqi. Përfundova duke pasur nevojë për një pompë oksigjeni, sepse nuk mund të merrja frymë thellë. Duke mos e ditur për sëmundjen mendova se ishte nga sistemi imunitar i dobët. Por tani që doli kjo tema e COVID-19 bëra testin e antitrupave dhe rezultoi që kisha qenë pozitiv më parë me Koronavirus dhe tani e kam kaluar”, thotë Buzukja. /Sport Ekspres/