Redi Jupi ka bërë analizën e prag derbit mes Tiranës dhe Partizanit. Një përballje që i gjen të kuqtë më favorit duke parë formën aktuale, megjithëse në krahun tjetër jemi duke folur për ekipin kampion të Superiores. I ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, Jupi është shprehur se Tirana do të jetë më afër fitores nëse ndeshja do të zgjidhet nga episodet, ndërsa Partizani do ia dalë që të kthejë festën e kryeqytetit në ngjyrën e kuqe nëse do të fitojë loja e grupit.
“Partizani vjen pas një fitore bindëse, në një gjendje shumë të mirë. Në dy ndeshjet e fundit ka shënuar 7 gola kundër Apolonisë dhe Skënderbeut. Skënderbeu nuk është e thjeshtë sa mund të duket, e zvogëloi Partizani me meritat e tij. Nga ana tjetër kemi Tiranën që ka shumë cilësi, megjithëse nuk ka marrë rezultatet më të mira në këto javët e fundit. Shikoni, është një problem në gjithë Europën dhe renditjet janë të çuditshme.
Në vendet e para sheh kudo ekipe që askush nuk e mendonte se mund të shkonin në ato vende. Kampionati deri tani ka shfaqur ekuilibër të plotë dhe ndeshjet vendosen nga episodet. Kështu edhe në derbi, nëse takimi do të vendoset nga episodi, Tirana është më e favorizuar pasi është më mirë cilësisht në individë. Këtu më vjen Muçi dhe emra të tjerë që spikasin aty. Pastaj nëse do të fitojë loja më e mirë në grup, më tepër favorizim ka Partizani”, ka thënë Redi Jupi. /Sport Ekspres/