Një dramë e vërtetë ishte përballja mes Vllaznisë dhe Bylisit. Shkodranët duket se e kanë humbur rrugën e titullit kampion teksa janë përmbysur edhe nga ballshiotët në shifrat 1-2. Fillimisht ishte Dilaver që realizoi me gjurin e tij në stilin “Ibrahimoviç”, duke kaluar në avantazh vendasit në minutën e 14.
Brdariç nis të duartrokas dhe Vllaznia vazhdon me spektaklin në pjesën e parë, ku mes lojës së bukur kanë shpërdoruar të paktën dy mundësi të arta për të shënuar. Në pjesën e dytë shkodranët janë befasuar në minutën e 77 me Spahiun, teksa me topin e mbetur në zonë, lojtari i sapo futur shënoi golin e barazimit dhe të parin në Superiore.
Kaq mjaftoi që shkodranët të goditeshin në aspektin psikologjik dhe Bylisi u hodh përpara për golin e fitores. Në minutën e fundit do të akordohej një penallti e shumë kontestuar kundër Vllaznisë, teksa Beji nuk gaboi për të realizuar.
Një tjetër surprizë vjen edhe nga përballja Kukësi-Apolonia e mbyllur në shifrat 1-1. Në minutën e 42 Bytyçi do ta linte Kukësin me 10 lojtarë pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë. Por vetëm tre minuta më vonë Peposhi fitoi penallti dhe Ibrahimi nuk di të gabojë nga 11 metrat. Apolonia e rriti nivelin e lojës në pjesën e dytë, ndërsa do të barazonte me Mario Gjatën në të 88. Pas një hapje topi fantastike nga ana e Mihanës që tregoi gjithë klasin e tij, aksioni u mbyll me goditjen me kokë të Gjatës që gjeti barazimin. Më poshtë gjeni intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Brdariç (Vllaznia): “Duhet ta vlerësoj ndeshje taktikisht. E kemi ndeshjen në kontroll, kemi bërë dy gabime idiote dhe kemi pësuar dy gola. Të vjen vërtet keq pasi duhej ta kishim fituar këtë ndeshje. Duhej të kishim bërë golin e dytë dhe të tretë që në pjesën e parë për ta mbyllur lojën. Ne i luajmë ndeshjet për të fituar. E kemi humbur dy ndeshjen nga dy gabime të kota në pasime. Tani duhet ta kuptojmë se nëse luajmë si në pjesën e dytë ndaj Bylisit, atëherë nuk do të fitojmë dot ndaj askujt. Duhet të jemi të qetë për të përmirësuar problemet dhe masat që duhet të merren”.
Kamarata (Apolonia): “Nuk jam i lumtur për barazimin ndaj Kukësi, pasi meritonim të fitonim. Kemi krijuar shumë raste, shumë aksione. Duhet të jemi më të saktë përpara portës që të mos shpërdorojmë kaq shumë. Komplimente edhe Bylisit për fitoren ndaj Vllaznisë, këtë duhej ta bënim edhe ne me Kukësin. Duhet të besojmë për vendin e tetë dhe ka shumë javë kampionati përpara. Nuk duhet të justifikojmë më lojtarët se janë të rinjtë, se janë 20-vjeç. Kur unë isha në këtë moshë kisha luajtur në Serie B dhe Seria A”.
Dovedan (Bylis): “Jam shumë i lumtur, e prisja që të fitoja sot. I kam thënë djemëve që nëse duam një pikë, atëherë e provojmë me tre pikë. E tentuam deri në fund që fitonim. Goli i parë që pësuam? Nuk e ha një ekip Superiore golin e Dilaver. Nuk u morën vesh mbrojtësit tanë. E dini se çfarë është që të përmbysësh Vllazninë në Shkodër? Diçka shumë e madhe”.