Disa njerëz e kanë të shkruar të ardhmen e tyre. Një prej tyre është edhe Mateo Çipi, djali i Geri Çipit, ish-mbrojtësit të kombëtares që ka luajtur në grupet e Champions League me Maribor, si dhe ka provuar të aktivizohet në elitën e futbollit belg dhe në Bundesligën gjermane. Mateo ende nuk i ka mbushur 18 vjeç dhe momentalisht i është bashkuar Sasuolos në Itali. Ai i ka hedhur hapat e parë te Flamurtari, madje ka luajtur në një kampionat të ashpër si Kategoria e Parë.
Edhe pse adoleshent, ai ia ka dalë mbanë dhe në rubrikën “Talenti shqiptar” për Fshf.org tregon se ajo eksperiencë e ka ndihmuar atë. Mateo shikon përpara dhe në intervistën e dhënë na tregon shumë gjëra, duke nisur nga ndihma që i jep babai, të lojtarët që ka shembuj dhe ku dëshiron të arrijë. Tani ai po rritet në Itali, aty ku një futbollist mund të mësojë shumë në “Universitetin e Mbrojtjes”.
Mateo, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?
Lidhja ime me futbollin ka nisur në moshën 7-vjeçare. Njeriu që më kë afruar më shumë me këtë sport ka qene babai, por dhe shoqëria. Luanim gjithmonë me shokët futboll.
Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?
Personi që më këshillon më shumë normalisht që është babai im, i cili ka luajtur vetë në rolin që luaj unë. Gjithmonë i dëgjoj këshillat e tij.
Si ka qenë të luani për Flamurtarin në Kategorinë e Parë në një moshë shumë të vogël? Çfarë të ka bërë përshtypje nga ajo eksperiencë?
Të luash në ekipin në të cilin ti je rritur është një eksperiencë shumë e bukur. Fakti që më është dhënë mundësia të luaj në ekipin e parë në një moshë të vogël më ka ndihmuar. Ka qenë një eksperiencë që më ka rritur, si nga ana fizike ashtu edhe nga an mendore.
Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U-19? Çfarë kujtoni nga grumbullimi dhe ndeshja e parë?
Kur mora ftesën nga Shqipëria U19, jam ndjerë krenar që mu dha mundësia që të jem pjesë e kombëtares së moshave. Nga grumbullimi i parë më kujtohet atmosfera me shokët e skuadrës. Ndeshja ime e parë kundër Izraelit ka qenë një moment që unë nuk e harroj.
Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?
Jeta ime futbollistike ka qenë e thjeshtë. Jam në hapat e mia të para dhe shpresoj që futbolli të më rrisë si person dhe si lojtar.
Sa ka ndikuar në rrugëtimin tuaj të deritanishëm fakti që jeni djali i Geri Cipit? Më shumë keni ndjerë presion, apo motivim?
Ka ndikuar për faktin që kam dëgjuar gjithmonë këshillat e tij. Fakti që ai ka arritur të luajë në shumë klube në Europë, më motivon që edhe unë të ndjek gjurmët e tij.
Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull? Po lojtari i huaj?
Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është Berat Gjimshiti, i cili ka vite që luan në nivele të larta në Itali. Kurse lojtari i huaj që e kam si shembull është Virxhil Van Dijk. Ai është një nga mbrojtësit më të mirë në botë.
Në Itali tani ka një numër të madh shqiptarësh që po luajnë në Serie A. Si ndjeheni për këtë dhe sa besim ju jep që shumë shpejt dhe ju do u bashkoheni atyre?
Po, e vërtetë, vitet e fundit në Itali kë shumë lojtarë shqiptarë të cilët luajnë në Serie a dhe shpresoj që një ditë dhe mua të më jepet mundësia të arrij të luaj në një nivel të tillë.
Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur?
Po. Fakti që ka shumë lojtarë që luajnë në kampionate europiane, sigurisht do ndikojë në rritjen e futbollit shqiptar.
Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll? Sa do donit të ecnit në gjurmët e babait tuaj?
Synimi im është që është të luaj në kampionate europiane dhe shpresoj që dhe unë të ndjek gjurmët e babait tim.