Një emër i njohur i futbollit shkodran, Amarildo Belisha, nuk është ende entuziast për Vllazninë, pavarësisht se barazimi në Kukës ka bërë bujë dhe ka ndryshuar atmosferën. Sipas ish-mesfushorit, skuadra aktuale nuk po tregon karakter, edhe pse tani përbëhet nga shkodranë, siç kërkonin tifozët prej kohësh.
Në një prononcim për “Shkodra Sport”, Belisha jep mendimin e vet me nota kritike: “Në pamje të parë, barazimi në Kukës konsiderohet rezultat pozitiv dhe i tillë është, por të mos harrojmë se edhe në këtë ndeshje ka pasur problematika. Në rezultatin 0-2, të mos jesh në gjendje ta mbash atë, të mos arrish ta administrosh atë me këtë ekip që unë mendoj se është më i mirë se ai i një sezoni më parë, do të thotë se nuk duhet të jemi aq shumë entuziastë. Unë pres më shumë nga futbollistët aktualë të Vllaznisë sepse duhet ta ndiejnë përgjegjësinë e veshjes së fanellës të kësaj skuadre.
“Kemi kërkuar një ekip me shkodranë, ja tek është ekipi me 99 për qind shkodranë, por nuk ua lejoj këtyre shkodranëve që të vijë ekipi kundërshtar të fitojë brenda në Shkodër, të luajë siç ia ka qejfi dhe të mos ketë as më të voglin reagim. Këta djem duhet të tregojnë karakter. Ndoshta nuk kanë gjendjen sportive më të mirë për momentin, por të paktën karakter duhet të shfaqin në fushë.
“Vjen Flamurtari të merr barazimin dhe nuk ka asnjëfarë gjaku e grinte në fushë. Shoh në minutën e 80-të që ekipi nuk e kalon mesin e fushës, ndonëse rezultati është 1-1, luan në fushën tënde megjithatë asnjë lloj grinte në fushë. Me Partizanin e njëjta situatë. Ndonëse në humbje ekipi, në minutën e 78-të, katër mbrojtësit e Vllaznisë luanin në vijë të drejtë dhe asnjëri prej tyre nuk shtyn përpara për të ndihmuar ekipin. Këto gabime janë të pafalshme. Për këtë arsye, unë e shoh disi me dyshim edhe përballjen me Skënderbeun, ekipin më të mirë pa diskutim të kampionatit. Megjithatë, nëse gjërat përmirësohen dhe këto gabime korrigjohen nga stafi i ri, edhe ndaj korçarëve mund të marrim një rezultat pozitiv”.