Përsëri Belgjikë-Angli. Një përsëritje e duelit të fazës së grupeve. Ashtu si më parë, edhe tani një ndeshje pa interes të madh për tu fituar.
Në grupe Anglia dhe Belgjika (të kualifikuara matematikisht) hodhën në fushë zëvendësuesit. “Tre Luanët” nuk luajtën për fitore, përkundrazi iu gëzuan humbjes pas golit të Januzajt dhe siguruan një kalendar më të lehtë.
Edhe tani, si në përballjen e 28 qershorit, ndeshja në finalen për vendin e tretë ka vlera minimale. Në fushë zbresin dy ekipe që ende nuk e kanë marrë veten nga fakti që humbën shansin të luanin për trofeun. Çfarë sensi ka që dy humbëset e mëdha të ndeshen për një medalje bronzi?
E megjithatë Belgjikë-Angli nuk është plotësisht e pavlerë. Dueli që luhet sot në orën 16:00 shërben për garën e “Këpucës së Artë”. Harri Kejn kryeson listën e golashënuesve me 6 gola, ndërsa Romelu Lukaku është ndjekësi më i afërt në kuotën 4. Një sfidë për çmimin ngushëllues, që gjithsesi nuk e zhbën zhgënjimin për finalen e munguar.