Begeja: Mos t’iu duket e lehtë, jemi të motivuar!

Teuta është vetëm një hap larg sigurimit të mbijetesës dhe për këtë i duhet të mundë Lushnjën e vendit të fundit. Në ndeshjet e shkuara verdhejeshilët kanë befasuar, pasi në sfidën e fazës së parë në “Roza Haxhiu” kanë përmbysur rezultatin dhe kanë fituar, kurse në Durrës kanë marrë një pikë. Sivjet durrsakët e nisën sezonin me Maganin në krye dhe më pas në vend të tij u emërua Stavri Nica, për t’u pasuar nga Gentian Begeja, i cili ka treguar se si e gjeti ekipin në fillim. “Kur erdhëm me stafin gjendja s’ka qenë e mirë psikologjikisht. Kemi punuar shumë dhe djemtë janë përgjigjur. E theksoj së merita është e ekipit. I them bravo skuadrës. Kemi patur luhatje, por e përgjithshmja është pozitive”, thotë trajneri i Teutës, që më tej flet në lidhje me sfidën e sotme me Lushnjën, që e vlerëson maksimalisht.“Skuadra vjen pas fitoreve të merituara. Motivimi ndaj Lushnjës do të jetë maksimal. Mund të duket e lehtë, por kundërshtarët tanë kanë treguar që mund të të hapin punë”, shtoi Begeja, i cili foli edhe në lidhje me të ardhmen e tij, por theksoi se nuk është momenti i duhur për këtë temë. “Nuk është tema e momentit. Jam profesionist. E rëndësishme është që të mbijetojë Teuta, pastaj drejtuesit vendosin.”

PARADOKSI

Më shumë se Teuta kanë shënuar vetëm Skënderbeu e Kukësi. Durrsakët kanë gjetur rrugën e rrjetës 47 herë, madje në gjashtë ndeshjet e fundit kanë shënuar 15 gola. “Djemtë e Detit” janë sulmi i tretë më i mirë, por deficiti vjen nga prapavija, pasi portierët Shpëtim Moçka dhe Elhan Kastrati e kanë nxjerrë topin nga rrjeta 52 herë. Në lidhje me këtë edhe trajneri Begeja bën një koment: “Është paradoks, kemi sulmin e tretë më të mirë, por edhe mbrojtjen e dytë më të dobët. Edhe natyra ime ofensive ka ndikuar. Kemi rregulluar ekuilibrin në skuadër. Kemi marrë gola për faj të grupit dhe për gabime amatoreske”, shprehet Begeja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *