Vladimir Prenga
Pogradeci është një nga skuadrat më “bio” të Kategorisë së Parë, teksa çdo vit bazën e skuadrës e ka me vendas, por merr edhe lojtarë të ndryshëm nga rrethet. Ditën e djeshme ata kanë nënshkruar me mbrojtësin e djathtë Luart Lame, i cili është aktivizuar në të shkuarën me skuadrën e Kamzës, prej nga u largua para pak ditësh pas gjashtë vitesh. 24-vjeçari sezonin e shkuar u aktivizua me skuadrën e drejtuar nga Ramadan Ndreu në 15 ndeshje dhe realizoi një gol, por nuk mbeti pjesë e ekipit të Kamzës edhe në Superiore. Kjo bëri që lojtari të kërkonte një ekip të ri dhe tashmë e ka gjetur atë dhe është vënë nën urdhrat e trajnerit Festim Fetollari. Lame gjen aty edhe ish-shokun e skuadrës te Kamza, sulmuesin Albi Çekiçi, të rikthyer në shtëpi.
DEKLARATA – Mbrojtësi i djathtë, pasi ka nënshkruar për Pogradecin, ka thënë edhe fjalët e tij të para për eksperiencën e re që do të nisë me liqenorët. “U largova pas gjashtë vitesh nga Kamza dhe normalisht nuk ishte e lehtë, pasi është ekipi i qytetit tim. Është hera e parë që ndërroj skuadër dhe kam ardhur këtu për të dhënë më të mirën time. E vlerësova ofertën e Pogradecit dhe vendosa të vij këtu. Shpresoj shumë që gjithçka të shkojë më së miri për mua dhe për skuadrën. Jam stërvitur rregullisht gjatë kësaj periudhë, pasi vetëm pak ditë kam që kam ikur nga Kamza, ndaj kam nisur menjëherë me grupin dhe dalëngadalë do të përshtatem me ekipin e ri”, u shpreh Lame për “Sport Ekspres”.