Batuta e lojtarit të Milanit: Kur jam në vështirësi, thjesht i pasoj topin Zlatan Ibrahimovic

Transferimi i Junior Messias ishte mjaft surprizë pasi lojtari erdhi nga Crotone, që luan në Seria B. Përkundër të gjitha pritshmërive, braziliani 30 vjeçar duket se ka zënë një vend në formacionin e trajnerit të Milanit, Stefano Pioli. Në fillim te sezonit, Messias vuajti një dëmtim, por falë mbështetjes së trajnerit arriti ta kalojë këtë fazë të vështirë. Në një intervistë ditën e djeshme për “Star Casino”, ai ka folur për marrëdhënien me Piolin dhe Zllatan Ibrahimoviç.

“Marrëdhënia me Piolin? Ishte një kohë kur po kaloja një kohë të vështirë, si pasojë e dëmtimeve. Një ditë në stërvitje, Pioli mu afrua dhe më tha: -Shiko ti je i fortë, e di që do t’ia dalësh. Më dha një super shtysë.”- u shpreh braziliani. 30 vjeçari gjithashtu foli dhe për liderin e skuadrës, Zllatan Ibrahimoviç, për të cilin nuk ngurroi të thurte elozhe. “Të luash me Zllatan Ibrahimoviç është shumë e lehtë. Ai është madhështor. Kur gjendem në vështirësi në fushë, ia pasoj gjithmonë topin atij, sepse nuk e humb kurrë”- tha ndër të tjera Junior Messias. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *