Në kuadër të bashkëpunimit të ri me Radio Televizionin Shqiptar, për të drejtat TV të kompeticioneve kombëtare të futbollit, si dhe për rinovimin e marrëveshjes me kompaninë e internetit Abissnet, për të drejtën e emrit të kampionatit “Kategoria Superiore”, Federata Shqiptare e Futbollit organizoi mbrëmjen e kësaj të hëne një ceremoni.
Kjo ceremoni u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku të pranishëm ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza, Presidenti i kompanisë “Abissnet”, Koço Kokëdhima, Presidentë dhe përfaqësues klubesh, gazetarë, si edhe personalitete e legjenda të futbollit shqiptar.
Në fund të ceremonisë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza dhe Presidenti i kompanisë “Abissnet”, Koço Kokëdhima folën përpara mediave, duke vlerësuar këtë bashkëpunim mes palëve.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në prononcimin për mediat falënderoi RTSH-në dhe kompaninë Abissnet për bashkëpunimin e nisur, duke u shprehur i bindur do të promovohet akoma më shumë futbolli shqiptar. “Sot kemi organizuar një ceremoni për të prezantuar fillimin e kampionatit të edicionit të ri sportiv. Për të falënderuar bashkëpunëtorët e rinj dhe të vjetër, por ato që janë më kryesorët, si RTSH-ja për marrëveshjen që kemi bërë për pasqyrimin e të gjithë kampionateve të futbollit në Shqipëri, duke nisur nga Abissnet Superiore, kampionatet e tjera të të rinjve dhe vajzave. Jam i bindur që kemi bërë gjënë më të mirë që kemi bërë marrëveshje me RTSH-në, pasi është një televizion që mbulon çdo cep të Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të çojë në çdo cep të Shqipërisë edhe futbollin dhe do ta promovojë akoma më mirë atë.
Jam shumë i bindur që edhe nga ana e Federatës apo e klubeve do të jetë një bashkëpunim shumë i mirë dhe do të kemi një edicion akoma më të mirë. Unë e falënderoj Drejtorin Alfred Peza dhe të gjithë stafin e RTSH-së. Jam i bindur që do të bashkëpunojmë mirë. E di që ka qenë edhe një sakrificë financiare, jo vetëm nga RTSH dhe buxheti i tij, por edhe nga buxheti i shtetit, që ka kontribuuar për ta promovuar dhe ngritur futbollin në Shqipëri. Gjej rastin që të falënderoj edhe Kryeministrin, i cili është marrë me këtë çështje, apo edhe Ministrat e linjës. Jam shumë i bindur që në këtë rrugë, ashtu siç kemi bashkëpunimin me RTSH-në, do të vazhdojë bashkëpunimi edhe me qeverinë edhe për shumë nevoja të tjera që ka futbolli në Shqipëri.
Falënderoj shumë edhe bashkëpuntorin tonë të vjetër dhe të ri, kompaninë Abissnet, që ka pagëzuar kampionatin me emrin “Abissnet Superiore” dhe kampionatet e të rinjve në Shqipëri. Kemi një histori bashkëpunimi 3-vjeçar dhe kemi vendosur që ta vazhdojmë këtë bashkëpunim. Për ne ka qenë një bashkëpunim i frytshëm dhe uroj që i tillë të ketë qenë edhe për biznesin.
Pronari i kompanisë Abissnet, Koço Kokëdhima, është edhe pjesë e familjes tonë dhe nuk e ka thjesht një marrëdhënie biznesi me ne, por edhe një kontribut për ta çuar përpara dhe për të realizuar misionin tonë të përbashkët. Për t’u kthyer edhe njëherë, siç falënderoj qeverinë për të gjithë kontributet – për marrëveshjen me RTSH-në apo për investimet dhe projektet që kemi nisur për stadiumet në Vlorë, Korçë dhe Durrës – shpresoj që të kemi dhe atë që ne presim për t’i dhënë një ndihmë apo një shtytje akoma më shumë futbollit. E kam fjalën për ligjin e sponsorizimit, apo ndryshe bazën ligjore që do ta ndihmonte sportin për ta incentivuar atë akoma më shumë.
Në këtë fillim edicioni unë do të doja të uroja edhe njëherë një kampionat dhe sezon futbollistik sa më të mbarë për të gjithë, bashkëpunim sa më të mbarë me RTSH-në dhe me kompaninë Abissnet, por edhe me partnerët e tjerë të FSHF-së. Uroj të kemi sa më shumë garë, të na dhurojnë sa më shumë emocion dhe të kemi një nivel sa më të mirë. Gjithashtu, duke qenë se jemi në prag të ndeshjeve të Kombëtares, uroj që të kemi sa më shumë sukses në dy ndeshjet e radhës sepse edhe ky është një edicion i ri në Nations League që do të fillojë në Pragë kundër Ukrainës për të vazhduar me Gjeorgjinë në Tiranë. Një kompeticion vërtetë i rëndësishëm për ne, jo thjesht për klasifikimin apo për atë që të jep Nations League, por edhe si një shans për të shkuar në Botërorin 2026. Urime dhe një kampionat sa më të mbarë! Faleminderit RTSH dhe Abissnet!”
Edhe drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Alfred Peza beson se ky do të jetë një bashkëpunim i frytshëm për të pasqyruar futbollin shqiptar.
“Nuk është vetëm pasqyrimi i ndeshjeve të “Abissnet Superiore”, “Final Four”, “Kategorisë së Parë” apo Futbollit të vajzave ato që na gëzojnë në marrëveshjen e arritur me FSHF-në, por fakti që kemi një vullnet për ta shtrirë këtë bashkëpunim edhe në më shumë ekipe zinxhir, të moshave, fëmijët. Janë rreth 23 mijë sportistë në të gjithë Shqipërinë dhe ne do të jemi pasqyra më e mirë ku çdokush të shikojë veten, pasardhësit, motrat dhe vëllezërit e tyre, në mënyrë që edhe ata të jenë pjesë aktive e edukimit.
Gjithashtu falënderojmë jo vetëm presidentin e FSHF-së, z. Armand Duka, për këtë marrëveshje, e cila është një nga lajmet më të mira, më të bukura, që ka dhënë RTSH kohët e fundit, por edhe z. Koço Kokëdhima. Besoj që ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm dhe ne do të punojmë në maksimumin tonë që futbolli shqiptar të gjejë pasqyrim në të gjitha kanalet e Radio Televizionit publik shqiptar në mënyrë profesionale dhe në mënyrën më të mirë të mundshme për pritshmëritë e opinionit publik, që ata të rritin besimin te sporti shqiptar, të rikthehen gjithmonë e më shumë në stadiume dhe të kenë më shumë energji për të mbështetur ekipet tona, dhe për të krijuar një atmosferë gjithmonë e më pozitive e sportdashëse në Shqipëri” – tha Drejtori i Përgjithshëm të RTSH-së, Alfred Peza.
Presidenti i Abissnet, Koço Kokëdhima tha se “ky është një partneritet që synon të ngrejë në nivelet më të larta, të paeksploruara, ekonominë shqiptare të futbollit dhe të krijojë një plaftormë ku talentet e reja të rriten jo vetëm të shëndetshëm, por në kontekstin e një industrie shumë konkurruese. Përmes këtij partneriteti duam të ndihmojmë që të rinjtë e Shqipërisë të mos privohen nga këto ëndrra dhe zhvillime.
Dua që të shpreh besimin që të gjitha kampionatet Abissnet Superiore do të jenë qartazi simbole të këtij përparimi që suportohet nga ky partneritet.
Dua të falenderoj në mënyrë të posaçme Federatën Shqiptare të Futbollit dhe presidentin Armand Duka, për të gjithë përkushtimin e tyre për ta çuar futbollin e Shqipërisë para. Zgjedhja e zotit Duka si zv.president i Uefa-s në këtë kontekst që flasim është një mbështetje e madhe për të gjitha këto ambicie që ne ndërtojmë dhe suportojmë përmes këtij partneriteti” – nënvizoi Koço Kokëdhima.