Bare në konferencë: Nuk stërvitem për Xhakën dhe Abrashin, me Francën edhe fitojmë

Shqipëria do të përballet ndaj Francës në takimin e radhës në kualifikueset e Europianit, për të mbërritur më pas edhe te përballja ndaj Islandës. Trajneri Reja i besoi një ftesë mesfushorit kuqezi të Malagas, Keidi Bares.

Ky i fundit është shprehur se do të jap maksimumin e tij edhe me fanellën e Kombëtares. Ndërsa kur pyetet nga një prej gazetarëve se çfarë e motivon për t’u stërvitur, kur ka një mesfushë të ngjeshur me emra si Xhaka, Memushaj, Gjasula, Abrashi dhe të tjerë, shprehet se stërvitet për ekipin dhe veten e tij.

“E prisja shumë këtë ftesë. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe të jap maksimumin për ekipin kombëtar. Para dy ditësh bëra një bisedë të shkurtër me trajnerin dhe foli fjalë të mira. Dua t’ia kthej besimin e madh që ka te mua në fushë. Këtë e vendos trajneri, sa i përket aktivizimit tim.

E rëndësishme është që të dalim me një rezultat pozitiv. Unë nuk stërvitem se ka lojtarë si Xhaka, Abrashi dhe të tjerë. Unë stërvitem për veten time, ekipin. Ata kanë shumë ndeshje në ekipin kombëtar, por unë do të jap 100% tim. Një lojtar nuk mund të bëj vetëm një sezon të mirë dhe të mbyll karrierën. Dua të vazhdoj në këto hapa. Fola me Sadikun dhe më tha se ndihet mirë te Malaga. Atje janë shumë mikëpritës dhe do të japi më të mirën e tij atje. Skuadrën e shoh shumë të motivuar, por Franca është ekip shumë i madh. Sa pikë mund të marrim? Të them 6 pikë, do të isha egoist. Me një barazim jam i kënaqur, por mund edhe të fitojmë”, ka thënë Bare. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *