Kur shihja Enis Bardhin – shqiptarin e lindur në Shkup – që në “Zona Gol” të dielën në mbrëmje të ngjallte respekt për këmbët në tokë dhe fanellën mbi poltronë, nuk ka sesi të mos pyesësh veten dhe jo vetëm. Si është e mundur që futbolli fqinj prodhon lojtarë të rinj të talentuar, të cilët në një moshë kaq të re luajnë në një kampionat kaq elitar, si Primera Division? Të hënën në mbrëmje, teksa i hidhje një sy qoftë edhe shkarazi ndeshjes Partizani-Kukësi, nuk ka sesi të mos konstatoje se një farë Bardhi, i lindur në Shqipëri, i kishte të gjithë elementët për të qenë njeriu i ndeshjes. 20 vjeç, lëvizje me klas, pasime të zgjuara, rrezikshmëri dhe panik për kundërshtarët. Përse Bardhi i Shkupit është aty ku është, ndërsa Bardhi i Partizanit ende nuk luan as titullar në klubin e tij? Përgjigjen e pyetjes na e japin hungarezët. Enisi shkoi në Ujpesht 18 vjeç dhe luajti atje tre sezone, 79 ndeshje dhe shënoi 19 gola. Ata – hungarezët – i dhanë besim investimit të tyre, e rritën dhe forcuan si lojtar dhe më pas e shitën te Levante. Partizani asnjëherë nuk i ka dhënë besimin e vet Jurgenit, ka 3 vite që e konsideron pjesë të ekipit të parë, po kurrë nuk ka luajtur 2-3 ndeshje radhazi, aktivizohet me pikatore dhe e ka bezdisur opinionin me nofkën talent.
Jurgen Bardhi sigurisht është një metaforë dhe krahasimi me yllin e përfaqësueses maqedonase mund të jetë një metaforë. Fenomeni jo, ai është para syve tanë, jo vetëm për të, por një duzinë lojtarësh të rinj, të cilët nuk kanë shanset e duhura në një kampionat e nëpër klube ku kanë vetëm një sy: titullarë me përvojë, emra të rëndësishëm, presion, fitore.
Që Jurgeni të bëhet si Enisi nuk duhet vetëm të dijë të luajë top. Duhet që Partizani të kopjojë pak Ujpestin. Ndoshta Bardhi shqiptar nuk shkon në Primera, por është e sigurt se nëse luan rregullisht dhe ai dhe Partizani në fund diçka do fitojnë. Njëri të ardhmen, klubi paratë.
Gjergji Stefa