“Barcelona nuk ka shans të fitojë Champions League”, Kroos e shpjegon: Nuk e ka një Upamecano

Toni Kroos ka dhënë një intervistë që ka ndezur debatet në Spanjë, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e Barcelonës për të fituar Champions League. Legjenda e Real Madridit ka analizuar lojën e skuadrës së Hansi Flick, duke vlerësuar futbollin ofensiv të katalanasve, por duke goditur fort repartin defensiv.

Ish-mesfushori gjerman nuk e fsheh admirimin për mënyrën se si luan Barcelona, por sipas tij, kjo filozofi është shumë e rrezikshme në përballjet me kundërshtarët më të fortë të Europës.

“Personalisht, më pëlqen jashtëzakonisht shumë mënyra se si luan Barcelona. Mendoj se luajnë në mënyrë brilante, është futboll emocionues dhe një kënaqësi t’i shikosh. Megjithatë, problemi më i madh është se nuk kanë cilësinë e nevojshme në mbrojtje për të vazhduar të luajnë në këtë mënyrë pa u ekspozuar ndaj rreziqeve”, deklaroi Kroos.

Gjermani mori si shembull Dayot Upamecano, duke theksuar se Barcelona nuk ka një mbrojtës që mund të përballojë situatat e vështira me hapësira të mëdha pas shpinës.

“Barcelona nuk ka një qendërmbrojtës si Upamecano, të cilin mund ta lësh vetëm në një duel një kundër një, me 30 metra hapësirë pas shpinës, dhe të jesh i qetë se do ta zgjidhë situatën. Për mua, Cubarsi është padyshim mbrojtësi më i mirë i Barcelonës. Ai ka forcën dhe shpejtësinë e nevojshme, por problemi është se është pothuajse i vetëm në këtë aspekt”, u shpreh ish-futbollisti i Realit.

Kroos theksoi gjithashtu se kundërshtarët mund ta ndëshkojnë lehtësisht Barcelonën në momentin që arrijnë të kalojnë presingun e lartë.

“Kur kundërshtari arrin të dalë nga presingu i Barcelonës, përpara portës së tyre krijohet një hapësirë gjigante. Mbrojtësit nuk kanë shpejtësinë dhe cilësinë e duhur për ta mbuluar atë hapësirë”, shtoi ai.

Në fund, Kroos dha edhe verdiktin e tij për objektivin madhor të katalanasve.

“Barcelona ka shumë pak shanse për të fituar Champions League. Ata varen tepër nga shënimi i dy apo tre golave për të fituar një ndeshje. Në këtë kompeticion duhet të dish edhe të mbrohesh”, përfundoi gjermani.

Një kritikë e fortë nga një prej legjendave të Real Madridit, që vë në shënjestër pikërisht pikën më të diskutuar të projektit të Hansi Flick.