Barazuan me Erzenin, Osmani tregon ku gaboi Vllaznia: Na ndëshkoi dëshira e madhe për t’u shkëputur nga vendi i 4-t

Tirana nuk e nis në mënyrën e duhur kampionatin pas kthimit nga pushimet për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve. Bardheblutë janë befasuar sot nga Teuta. Bregdetarët kanë fituar me shifrat 1-2 në “Air Albania”, duke i hequr nga duart “final four”-in kryeqytetasve. Jazxhi realizoi një gol të mrekullueshëm me një goditje në afërsi të zonës në minutën e 45 të takimit. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e durrsakëve dhe në të njëjtën mënyrë nisi edhe e dyta. Daci e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 51-të, duke i dhënë qetësi Teutës. Tirana reagoi me anë të Lulajt në minutën e 90, por atëherë ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e këtij takimi.

Në krahun tjetër, Vllaznia është ndalur në shtëpi nga Erzeni. Bekim Balaj i dha epërsinë shkodranëve në minutën e 28, kur me një goditje me kokë e ndali topin në rrjetë. Por festa nuk zgjati shumë gjatë. Në minutën e 39 Maliqi ktheu sërish baraspeshën dhe fiksoi shifrat në 1-1. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Osmani (Vllaznia): “Pjesa e parë ishte e mirë. E qarkullonim mirë. Golin e pësuam nga një pakujdesi. Në pjesën e dytë na krijoheshin më shumë hapësira mes mbrojtjes dhe mesfushës. Erzeni na rrezikoi shumë për shkak të këtij gabimi. Shpesh herë shpejtonim. Nga shpejtësia gabonim në driblime dhe pasime në mesin e fushës. Në pjesën e dytë duhet të tregonim freski, por nuk u shfaq. Nënvlerësim për Erzenin? Jo, jemi profesionist dhe të gjithë jetojmë prej kësaj pune. Nuk ka rëndësi se me cilin ekip luajnë dhe në çfarë renditje është në tabelë. Ndoshta dëshira e madhe për ta fituar ndeshje shfaqi këto gabime që u panë. Kishte dëshirë të madhe për të fituar dhe për t’u shkëputur pak nga vendi i 4-t dhe i 5”.

Fagu (Tirana): “E kishim përgatitur ndeshjen ndryshe. Pësuam dy gola dhe u rënduam nga ana psikologjike. Ne e dinim se si do të luante Teuta, me presion lart. Por nuk e interpretuam ashtu si duhej dhe kjo na prishi punë. Më pas bëmë atë ndryshimin taktik. E vuajtëm sot edhe finalizimin. Nuk ishim të qartë kur dilnim në ¾-at. Kishim konfuzion, nuk e di pse. Ne vinim nga një fitore me Dinamon dhe kishim harmoni. Për kaq pak kohë mund të bësh ndryshime të vogla, jo shumë të mëdha, sepse mund të prishësh ekuilibra. Por sot ia lë pjesës së interpretimit të ndeshjes, që nuk ishte aty ku duhet. Sigurisht që i kemi kapacitetet për titullin kampion. Jemi ende në luftë për të kapur final four-in”.

Deliallisi (Erzeni): “Më vjen keq për mënyrën se si e pësuam golin. U goditëm aty ku e kishim përgatitur më shumë ndeshjen. Merituam diçka më tepër se kundërshtari sot për të fituar ndeshjen. E kisha analizuar kundërshtarin. Gjatë gjithë kohës ata krosojnë nga vija e dytë. Në pjesën e dytë duhet të kishim më shumë besim për ta goditur kundërshtarin. Rastet ishin flagrante për ta goditur kundërshtarin dhe për ta fituar ndeshjen”.

Martini (Teuta): “Duhet të më iki vonë nga kujtesa ai eliminim nga Kupa. Ishte një ndeshje revanshi. Nuk e lamë Tiranën të luante. Kemi luajtur në Elbasan për Kupë më mirë se sot. Nuk jam shumë i kënaqur. E kisha frikë, sepse shumë herë gjatë kampionatit kemi pësuar gol në minutat e fundit. Duhet të shënonim edhe golin e tretë, të ishim më të qetë dhe të mbyllnim gjithçka. E kishim përgatitur ndeshjen gjatë gjithë javës dhe e çuam ndeshjen atje ku donim ne. Çdo veprim të tyre ne e kishim përgatitur gjatë javës. Edhe dëshira e grinta ishin më të mëdha se të Tiranës. Ne kemi një ndeshje shumë të rëndësishme të prapambetur me Dianmon. Është një ndeshje që do të na japi një lloj rruge, nëse do të vazhdojmë në katërshe apo të vazhdojmë kështu si jemi që të mos shohim poshtë. Kualifikimi i Kupës më dhemb shumë. Do e kishim me Kukësin më pas dhe mund edhe ta fitonim Kupën. Do e ndërroja këtë fitore me kualifikimin në Kupë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/