Trajneri i Lushnjes ka rezerva për gjykimin dhe për mënyrën se si po trajtohet skuadra e tij në fillim të këtij kampionati
Artan Bano e ka me arbitrat dhe këtë e shpreh hapur pas ndeshjen me Kukësin, ku skuadrës së tij i ndodhën shumë gjëra, duke nisur me dëmtimet e lojtarëve, gabimet e portierëve dhe një penallti e padhënë. “Mund të them se ishim të pafat, pasi morëm një karton të kuq dhe bëmë dy zëvendësime të detyruara shumë shpejt. Kartoni i kuq është i pafalshëm, si për Markun ashtu dhe për Spahon, për mënyrën se si u vendos. U munduam që të bëjmë gjithçka. Kur ishim me forca të barabarta në fushë, ishim dhe më superior ndaj Kukësit. Ky është futbolli dhe ne na duhet të pranojmë edhe fatin e kundërshtarin. Duke pasur parasysh dhe episodet, nuk besoj se meritonim një humbje 2-0. Mendoj se është një ndeshje e fituar me fat nga kundërshtari. Nëse Kukësi vjen si kampion dhe fiton është normale, por ka fituar 2 ndeshje me 11-metërsha. Pak a shumë e njëjta gjë ndodhi dhe me ne. Unë e kam theksuar se ndaj këtij ekipi duhet të jenë të kujdesshëm, nuk duhet ta prishim kështu kampionatin. Mirë është të bëhemi seriozë të gjithë, pasi nuk na shkon për shtat. Kjo është thirrje për të gjithë, për gjyqtarët. Duhet të jenë më serioz me Lushnjen. Të jenë serioz dhe të bëjnë punën e tyre. Kjo nuk është punë të fortësh. Lëreni të argëtohen njerëzit. Unë do i lë pas krahëve rastet e 11-metërshave, pasi mund të kem qenë larg, por pas kartonit të kuq, që është 11-metërsh shumë i pastër, nëse do të ishte në Kukës nuk do të diskutohej që do e jepte për Kukësin. Po ne kush jemi? Ne jemi një ndër 10 ekipet e Superiore. Kur loja është 0-0, ne jemi me një lojtar më pak, kemi një rast të pastër për penallti, duhet të jemi shumë serioz sepse për sekonda ndryshon situata e lojës. Avantazhi dhe disavantazhi nuk janë njësoj”, tha në “Supersport” Bano, që më pas foli edhe për gabimet e portierëve. “Të dy portierët gabuan, si ai që u largua ashtu dhe ai që hyri. Spaho duhej ta evitonte atë ndërhyrje. Goli i dytë ishte i pafalshëm për Bejten, megjithatë janë gjëra që ndodhin. Të bësh dy zëvendësime në 30 minuta e para nuk ke mundësi ta rifreskosh më skuadrën më vonë. Nuk është problemi nëse mundesh nga Kukësi me meritë, nuk ka asgjë të keqe se është kampioni i Shqipërisë. Problemi është se këtu ndikojnë shumë faktorë të tjerë”, përfundoi trajneri i Lushnjes, Artan Bano.