Trajneri lushnjar u kundërpërgjigjet akuzave të kuçovarëve dhe nuk e vë në diskutim fitoren në shtëpi
Lulëzim Resuli
Teksa ditët kalojnë për dy ekipet që mbyllin klasifikimin në Kategorinë e Parë grupi Jugut afron dita e së vërtetës. Shkumbini do të presë ekipin e Naftëtarit në ndeshjen e fundit të kampionatit të këtij sezoni dhe një pikë e vetme i mban ata mes ekipeve që mundet të vazhdojnë rrugëtimin për qëndrimin në të Parën. Për trajnerin Artan Bano, ekipi i Shkumbinit është plotësisht i përgatitur për ta fituar këtë takim duke mos u kënaqur me asgjë tjetër përpos tre pikëve të detyruara. Më poshtë, trajneri Bano sjell argumentet e tij për të cilat fitorja duhet të jetë e padiskutueshme në sfidën e fundjavës. “Së pari, më duhet të tregojmë pjesën tonë të respektit dhe të vlerësimit të çdo kundërshtari. Në këtë kuadër edhe ekipi i Naftëtarit mbetet për ne një kundërshtar i radhës që kërkon vlerësimin e duhur dhe impenjim maksimal. Ajo që ka shumë rëndësi dhe që është zgjidhja parësore e rezultatit të takimit është mos nënvleftësimi i kundërshtarit. Ndeshja është finale dhe jetike e për këtë arsye, unë mendoj se ne e meritojmë që të jemi mes ekipeve të Kategorisë të Parë ndaj këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës në këtë përballje direkt”,-tha Bano fillimisht.
EPËRSIA – “Ka disa faktorë, për të cilën nëse arrijmë t’i vëmë siç duhet në eficencë do të na japin suksesin. Së pari është një ndeshje në shtëpi dhe për këtë arsye duhet të bëjmë siç duhet detyrat! Së dyti, ekipi ka treguar një futboll të bukur dhe real, madje nga ndeshja në ndeshje, që në momentin që unë gjendem në krye të ekipit. Për këtë arsye, unë kam besim se djemtë do të japin më të mirën edhe në këtë përballje. Së treti, në ekip ka lojtarë cilësorë dhe grupi po funksionon,do të jemi të plotë dhe kam parë gjatë gjithë kësaj kohe një impenjim dhe mobilizim nga çdo lojtar. Së katërti, ka qenë një kohë e mjaftueshme në dispozicion duke ditur që javën e kaluar ne kemi qenë pushim për të mbledhur të gjitha forcat dhe energjitë për këtë ndeshje”.
Anti Naftëtari – “Së fundi gjë që doja t’i kushtoj më pak vëmendje, por që nuk mund të lihet pa përmendur është “sulmi-përgojimi” mediatik që kundërshtari ynë ka bërë gjatë kësaj kohe. Tek Naftëtari kanë dashur me qëllim të keq të merren me frikën e gjykimit dhe trillime të tjera për të menduar që në Peqin do të jetë shumë e vështirë. Gjej rastin të përmend së pari, se ky ekip nuk i ka shkaktuar asnjë humbje Shkumbinit, ndërsa ne kemi marrë barazim dhe fitore në transfertë ndaj Naftëtarit. Së dyti, ne nuk kemi marrë asnjë dhuratë as nga ekipe të tjera e as nga gjyqtarët, për të thënë se deri këtu jemi pa meritën tonë. Ndaj edhe nëse Naftëtari vjen të luajë në fushën tonë me treshe gjykuese kuçovare sërish fitorja do të jetë e sakrificës të djemve tanë”, – ka përfunduar trajneri Bano.