Elis Bakaj me petkun e goleadorit? Te Kukësi, me dy gola të shënuar, tashmë besojnë se mund të kenë gjetur njeriun-gol. Pas ndeshjes, për “Sport Ekspres” Bakaj u shpreh i lumtur për suksesin dhe vuri theksin te fakti se nuk ishte një ndeshje aq e lehtë sa e tregon rezultati.
Arrini fitoren e radhës, po ashtu të shënoni sërish. Si e patë këtë takim?
Unë jam tip kërkues, që nuk kënaqem kollaj nga vetja. Mund të them se kjo skuadër ka potencial. Goli ndonjëherë është dhe fat, pasi kam dëgjuar se me Kamzën nuk shënuam. Sot (dje) patëm disa raste, zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. I falëndeorj të gjithë çunat që dhanë maksimumin, pavarësisht se nuk arritëm që të shënonim në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë u futëm në lojë me besimin e plotë dhe normalisht ia dolëm të merrnim një rezultat shumë pozitiv.
Dy gola në tri ndeshje, a ka gjetur Kukësi goleadorin te Bakaj?
Nuk preferoj të flas për aspektin personal. E rëndësishme është të kemi shëndetin, por e kam thënë se golat që i kam premtuar skuadrës, do t’i shënoj, në mos më shumë. E rëndësishme është që ekipi ecën mirë. E pamë që të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë. Mos të harrojmë që kampionati është shumë i fortë dhe është shumë e vështirë që një skuadre t’i shënosh tre gola.
Sulmi u zhbllokua, tashmë duhet të presim më shumë gola?
Asnjëherë s’e kam vënë në dyshim, që golat do të vijnë. Nuk duhet të harrojmë që gjithë reparti i avancuar te Kukësi është bërë nga e para dhe normalisht, që të kërkosh me dy ndeshje të shënosh gola, vetëm këtu ndodh.
Ka arritur Kukësi që të konsolidohet plotësisht?
Jemi në nivel shumë të mirë. Ekipi zhvilloi shumë kombinime të mira. Te goli mora një top të bukur nga Kale dhe duhet përmendur, pasi meritë të padiskutueshme ka dhe ai që jep topin.
Sa e vështirë ishte ndeshja përballë Laçit?
Laçi ka një skuadër shumë të mirë. Kemi 7 pikë në 3 ndeshje, duke marrë parasysh që kemi luajtur në transfertë me Partizanin. Jemi 6 pikë më shumë se Partizani dhe është diçka shumë pozitive. Fusha e Kukësit është e vogël dhe ndonjëherë bëhet e vështirë për ne, kur kundërshtarët tërhiqen pas dhe mbrohen.
Dedikimi për golin?
Golin ia dedikoj familjes time, që gjithnjë më ka qëndruar pranë.