Në Hamburg kanë një orë gjigante në stadium, ku numërohen vitet, muajt, ditët, minutat e sekondat që kalojnë me Hamburgun në Bundesligë. Klubi verior nuk ka rënë kurrë në Bundesligën 2 dhe krenohet me këtë gjë sikur të kishte fituar nja 12 Champions League.
Megjithatë, tashmë edhe krenaria boshe për mbijetesën pa fund në Bundesligë po merr fund. Sot erdhi humbja 6-0 në Mynih dhe pikërisht Bajerni i dha një goditje ndoshta fatale, sepse tashmë qëndrimi në Bundesligë është bërë vetëm teorik.
Riberi në minutën e tetë dhe Levandovskin në minutat 12 e 19 mbyllën gjithçka shumë shpejt, ndërsa në pjesën e dytë Roben, Riberi e Levandovski shtuan sasinë e golave në portën e Hamburgut, si zakonisht. Mërgim Mavraj nuk ishte as në stol, për probleme shëndetësore, por më mirë që nuk ishte.
Bayern Munich 6-0 Hamburg
(Riberi 8’, 81’, Levandovski 12’, 19’, pen 90’, Roben 55’)