Një lajm i trishtë mbërriti për Lionel Mesin pas mbarimit të Botërorit, atje ku babai i tij, ndërroi jetë. Gjendja ishte rënduar që para nisjes së Botërorit, por gjithcka shkoi në mënyrën më të keqe pas mbarimit të tij. Në një postim në rrjetet sociale, Mesi ka bërë një rrëfim rrënqethës, duke treguar se ishte babai i tij që e kishte bindur për të luajtur në këtë Botëror.
“Baba, ende nuk mund ta besoj që nuk je më këtu. Nuk e kam përthithur ende realitetin, ose më saktë, nuk dua ta bëj. E kam kaq të vështirë të imagjinoj se nuk do të të shoh më kurrë, se nuk do të flasim më kurrë. E di që po vuaje dhe se kjo është për të mirën tënde, por na le shumë shpejt. Kishim ende kaq shumë gjëra për të shijuar së bashku.
Ti vazhdoje të më kërkoje të luaja në një Botëror të fundit dhe pikërisht pak ditë para se të fillonte, gjendja jote u përkeqësua. Ishte hera e parë që nuk do të ishe aty me mua në një turne, por mami më thoshte se do të përmirësoheshe dhe se do të ishe mjaftueshëm mirë për të udhëtuar. Unë të thoja vazhdimisht se do të arrinim në finale, që ti të mund të bëje udhëtimin.
Pas çdo ndeshjeje, prisja me padurim mesazhin tënd. Atëherë e kuptova se sa serioze ishte vërtet situata. Megjithatë, nuk mund të mos mendoja për të shkuar sa më larg që të ishte e mundur, për të të dhënë më shumë kohë dhe mundësinë për të parë një nga ndeshjet. Arritëm në finale, por ti nuk munde të ishe aty. Doja ta fitoja që të mund të të sillja trofeun dhe të të tregoja një tjetër. Nuk munda. Këmbët e mia thjesht nuk mbanin më. Këtë herë u përpoqa të shkoja përtej limiteve të trupit tim, por nuk ia dola. Nuk arrita kurrë të ndihesha mirë fizikisht.
Kur u ktheva, ti mendoje se e kishim humbur finalen me penallti. Nuk mundëm të flisnim për asgjë nga ato që kishin ndodhur. Nuk munde të shijoje asgjë prej saj. Nuk u shpallëm kampionë, por nuk e ke idenë se sa shumë e shijuam çdo ndeshje. Edhe një herë, ti kishe të drejtë: duhej të isha aty dhe të luaja. Po t’i them të gjitha këto sepse ishte e vetmja gjë për të cilën nuk patëm kurrë mundësi të flisnim. Për gjithçka tjetër, ti tashmë e di. Flisnim çdo ditë dhe shiheshim sa herë që angazhimet e mia na e lejonin. Nuk e di çfarë do të bëj pa ty. Nuk di si të vazhdoj më tej. Gjithçka që kam bërë ka qenë të luaj futboll dhe tani kam dyshime të mëdha nëse do të vazhdoj ta bëj këtë edhe për shumë kohë. Ti ishe në krahun tim që në fillim dhe kishte mbetur kaq pak deri në fund. Pse nuk munde të rezistoje edhe pak më gjatë, që ta përfundonim së bashku?
E di që lumturia jote buronte nga fakti që e shihje familjen tënde mirë – gruan, fëmijët – dhe, mbi të gjitha, pa e ditur askush tjetër, nga momenti kur më shihje duke luajtur… Kështu kishte qenë gjithmonë, që kur isha i vogël. Më çoje në çdo seancë stërvitore sapo ktheheshe nga puna. Edhe mami më çonte shpesh, sepse ti ishe i zënë me punë. Dhe sigurisht, nuk humbisje asnjë ndeshje. Sa shumë vuaje duke më parë, por edhe sa shumë e shijoije, edhe pse rrallëherë më bëje komplimente të tepruara.
Ti ishe babai im, miku im dhe përfaqësuesi im. Gjithmonë e dije saktësisht se cili rol të takonte në çdo moment dhe nuk gaboje kurrë. Pavarësisht ndonjë debati apo mosmarrëveshjeje, ti kishe gjithmonë të drejtë. Në fund, gjërat ndodhnin gjithmonë ashtu siç i kishe parashikuar ti. Do të më mungosh shumë, por do të jesh gjithmonë i pranishëm, veçanërisht në mënyrën se si i rris fëmijët e mi; sepse po i edukoj dhe po i rris ashtu siç më rritët ti dhe mami mua. Prehu në paqe dhe na shiko nga lart, ashtu siç bëje edhe këtu. Faleminderit për gjithçka”, shkruan Mesi. /Sport Ekspres/