Nga Klaudio Ndreca
Marko Van Basteni nuk është vetëm i Holandës së madhe e të historisë, por edhe i Çamërisë, Shqipërisë dhe padyshim…i Kukësit. Sulmuesi 22-vjeçar që është pjesë e verilindorëve nuk ka gjetur shumë hapësirë për të shpalosur aftësitë e tij, por ka qenë “i dënuar” edhe nga një dëmtim i kaluar. Megjithatë për këtë sulmues do të ketë gjithmonë interes të veçantë, nisur nga emri i tij i çuditshëm. Madje së fundmi ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave italiane, me “IlFogio” që i ka kushtuar një artikull.
Ishte viti 2006 kur po zhvillohet Botërori dhe Marko Van Basten Çema ishte vetëm 8-vjeç. Babai i tij, një adhurues i flaktë i Holandës padyshim, po ndiqte së bashku me djalin “betejën e Nurembergut”, ashtu siç u etiketua Holand-Portugali, pasi ishte nga më të ashprat në histori me gjashtëmbëdhjetë kartonë të verdhë dhe katër të kuq. Në një moment komentatori mbushet me nostagji dhe kujton Marko Van Basteni e historisë, ndërsa ai shqiptari që ishte vetëm 8-vjeç, është kthyer menjëherë nga babai: “Ata janë duke folur për mua”.
“Babai më mori në duar në atë moment dhe më tha: “Tani unë do të tregoj historinë e emrit tënd.” Babai im, më tregoi për sulmuesin që kishte qenë Van Basteni dhe unë nisja të imagjinoja sesi mund të ndiqja hapat e tij. Po, unë kam nisur të luaj futboll pasi zbulova sekretin e emrit atë ditë. Kam dëgjuar histori shumë të bukura për atë futbollist, plot me talent dhe ndoshta më i miri në histori.
Kam qenë sulmues që kur isha i vogël. Trajneri pa te mua një Zlatan Ibrahimoviç të ri, ndoshta edhe se isha i gjatë. Kam luajtur në shumë ekipe dhe e dashuroj futbollin, por kjo nuk më bën të veçantë pasi ka të tjerë që e duan edhe më shumë se mua. Itali më tërheq sepse ka kampionatin më konkurrues në botë, por edhe për artin, muzikën dhe ushqimin. Nëse dikush më telefonon, unë do vrapoja për Itali, ose te Ajaksi sigurisht. Çamëria? Është e natyrshme për mua që të luaj me këtë Kombëtare, po flasim për një rajon të Shqipërisë që jemi të lidhur të gjithë dhe duam t’i ndihmojmë”, u shpreh sulmuesi 22-vjeçar. /Sport Ekspres/