Arb Manaj është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme që luan në Kosovë dhe me ekipin e Trepçës 89. Dhimbjen ka arritur të kthejë në forcë, duke u ngritur edhe më tepër, pavarësisht situatës aspak të mirë që ka pasur në fëmijëri.
Të rritesh pa një prind nuk mund të jetë kurrë e lehtë. Babai i këtij futbollisti ndërroi jetë në Gjakovë në luftën me forcat serbe. Në intervistën e dhënë për “Sporti në RTV Dukagjini”, Arb Manaj ka treguar të gjitha emocionet e përjetuara:
“Babai ka luajtur futboll për një kohë të shkurtër. Dëshira e tij ishte që të bëhesha unë futbollist pasi ma ka treguar nëna. Ka luajtur për 2 Korrikun dhe këtë dëshirë kishte për mua, të vazhdoja rrugën e tij. Të rritesh pa një prind është e vështirë.
Kam pasur fat dhe në fatkeqësi. Kjo pasi u rrita në mesin e familjes së babait dhe të nënës sime. Dua të ndalem edhe të nëna ime që është motivi dhe udhërrëfyesi im. Ka ndjenja të përziera. Dhimbje dhe nostagji dhe krenari nga ana tjetër. Babain nuk e kam njohur se isha vetëm 8 muajsh, por unë jam shumë krenar për të.
Duke parë rëndësinë e ndeshjes ia kam dedikuar një gol babait. U inspirova edhe nga Mërgim Mavraj që ia dedikoj golin babait të tij te Shqipëria-Armeni. Suksesi im është bazuar te puna e madhe dhe pa lëndime”, ka thënë Manaj. /Sport Ekspres/