Në një kohë që Federata i jep një lloj ultimatumi Ozilit, babai i mesfushorit, Mustafai, flet për foton me Erdoganin dhe për sjelljen e federatës gjermane, përfshirë komentet e Oliver Birhofit (“Ndoshta duhej të mos e grumbullonim Ozilin për Kupën e Botës”).
“Mesuti është një sportist, dëshiron të luajë futboll dhe nuk ka asnjë lidhje me politikën, ndaj ai nuk e mendoi aq thellë punën e fotografisë me Erdoganin. Mesuti është një person i turpshëm, si mund të refuzonte ftesën për një fotografi nga një person si Erdogani? Ozil ka dalë në fotografi edhe me Angela Merkel”, ka deklaruar babai i mesfushorit në një intervistë për Bild.
Fotografia me Erdoganin shkaktoi reagime të ashpra, por Ozil nuk ka sqaruar ende asgjë. “Ai është i zhgënjyer dhe i ofenduar. Po, i ofenduar”, shpjegon babai i tij. “Ai nuk ka dëshirë që të shpjegohet, që të mbrohet, ai ka 9 vjet që përfaqëson Gjermaninë, është kampion Europe me U21 dhe kampion bote me ekipin e parë, ka bërë shumë për Gjermaninë, ndërsa tani e ofendojnë, e shohin si kurbanin për dështimin në Botëror”.
Mustafai ka komentuar edhe deklaratat e Birhofit: “Më duken si fjalët e dikujt që dëshiron të largojë fajin nga vetja. Trajneri Lëv e ka thënë qartë që nuk e mendoi asnjëherë lënien e Ozilit dhe Gyndoganit jashtë Botërorit, ndërsa tani Birhof del e thotë diçka të tillë. Federata gjermane ka dështuar totalisht në menaxhimin e një situate krize, dukej sikur federata nuk kishte fare dijeni çfarë ndodhte me lojtarët e saj”.
Këshillë për të birin? “Ai duhet të vendosë vetë. Po të isha në vendin e tij, do thosha: Faleminderit, por kaq ishte, ofendimi është i padurueshëm për të vazhduar”.
Mustafa Ozil ka qenë këshilltari i Mesutit deri në vitin 2013, kur patën disa probleme mes tyre dhe që atëherë shihen shumë rrallë.