Atalanta është cilësuar si ekipi më i bukur në Serinë A dhe vlerat rriten dyfish më tepër nga fakti se skuadra po mban vazhdimësinë. Nga mrekullia e sezonit të shkuar për të vazhduar me konkurrimin dinjitoz në kampionatin aktual duke luftuar në tre fronte: “Kupë, kampionat dhe Champions League”.
Këtë mundësi nuk e kanë as skuadrat që kanë investuar shifra më të larta sesa vetë Atalanta. Në mbrëmjen e djeshme u koleksionua tjetër sukses pasi djemtë e Gasperinit eliminuan Napolin dhe shkojnë në finalen e Kupës për t’u ndeshur me Juventusin.
Mes personaliteteve të futbollit në Itali është edhe Vieri i mahnitur. “Atalanta ishte shkatërruese në pjesën e parë ndaj Napolit. Në të dytën ishte Napoli më mirë që mund të barazonte në 2-2 me Osimhen. Por Atalanta është e fortë, të shkaktojnë probleme dhe shënojnë gola. Ata gjithmonë e luajnë ndeshjen deri në minutën e 90. Kaluan në finale me meritë. Më vjen keq për Gatuzon, të gjithë e dimë se kush është. Shpresoj se do të bëjnë një paraqitje të mirë kundër Juventusit. Një duartrokitje për ekipin e Atalantës dhe Gasperinin se është kampion. Kjo është finalja e dytë e tyre në tre vitet e fundit, janë edhe në fazën e eliminimit të “Champions League”. Janë spektakolarë për t’u parë”, ka thënë Vieri. /Sport Ekspres/