“Ata të Realit i flisnin diçka arbitrit”! Akuza të forta në Spanjë nga Almeria: Ishim të kërcënuar, na grabitën në Santiago Bernabeu

Ndoshta ndeshja më e diskutueshme e këtij sezoni në La Liga u luajt në stadiumin Santiago Bernabeu, ku Reali arriti të mposhtë Almerian me rezultat të ngushtë dhe shumë do të thonë, me ndihmën e arbitrit. Pas ndeshjes, lojtarët e Almerias kishin diçka për të thënë për eksperiencën e tyre negative në stadiumin e famshëm.

Almeria ka shfaqur indinjatën e saj me vendimet e diskutueshme të arbitrave në ndeshjen kundër Real Madridit. Pas vërshëllimës së fundit, pasuan një sërë kritikash dhe akuzash dhe të gjithë ata që dhanë deklarata ishin të shokuar. “Dikush vendosi që ne nuk mund të fitonim këtu dhe kështu ndodhi”, u ankua Marc Pubill në deklaratën e tij të parë pas përfundimit të ndeshjes. Ishte sinjali fillestar për një valë kritikash.

Akoma më i ashpër në deklaratën e tij ishte Gonzalez Melero, i cili shkoi deri aty sa tha se ishin kërcënuar. “Ne largohemi me ndjenjën se na kanë grabitur. Nuk ka si ta pranojmë këtë. Ajo që ndodhi sot kalon çdo kufi. Ata na kërcënuan dhe mbi të gjitha, ata mendojnë se bënë një gjë të mirë. Më dhemb shumë, por La Liga është vite dritë larg Premier League,” kritikoi ashpër Melero.

Ankesave të ashpra të shokëve të skuadrës iu bashkua edhe Edgar. “E shihni që skuadra tjetër mund t’i thotë ndonjë gjë arbitrit një metër larg tij, por ne nuk mundemi. Ka shumë dallime. Unë e kuptoj se ata janë Real Madrid dhe ne jemi Almeria, por… Ky është një kompeticion që duhet të jetë i drejtë për të gjithë, dhe ndonjëherë është e vështirë të shihet se është kështu”, tha Edgar. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *