“Ata janë kampionë, por ne klubi më i madh në Shqipëri“, Halili nuk i trembet Zvezdës: Asnjë frikë nuk ka, shpërblimin e zbuloj…

Tirana po vijon edhe në Europë me ritmin e kampionatit, teksa ka kaluar me sukses ndeshjen e parë në kualifikueset e Champions League, ku eliminoi Dinamon e Tbilisit. Një fitore që solli gëzim te çdo tifoz bardheblu, ndërsa tashmë vëmendja është kthyer te përballja e vështirë më Crvena Zvezdën. Presidenti Refik Halili ka folur për këtë ndeshje, të cilës nuk i trembet aspak, por tregon se në fushën Tirana do të tregojë dhembët e do të luftojë si e barabartë. Shpërblimi nuk mund të mungonte për një sfidë të tillë, megjithëse nuk dëshiron të zbulojë ende një shifër, pasi do e mbajë të fshehtë deri në dy orë përpara takimit.

“Unë kam bërë një bashkëbisedim me gjithë skuadrën dhe i kam thënë që në këtë rrugë ne jemi bashkëpronar. Kjo në kuptimin e të ardhurave. Do të thotë që nëse djersisin më shumë, nëse punojnë më shumë, do bëni atë që keni për detyre të bëni, të fitoni ndeshjen, atëherë të ardhurat do të jenë edhe më të mëdha. Pastaj hajde t’i ndajmë këto të ardhura. Pra duke i dhënë një bonus që ata të ndihen sa më mirë dhe të vlerësuar për atë që kanë dhënë në fushë. Unë kam besim te kjo skuadër.

Jam njeri që nuk dorëzohem. Është një skuadër ku ne kemi ruajtur boshtin e saj. Kjo na ka bërë mirë. Falenderoj edhe futbollistët që kanë qendruar. Falenderoj edhe ata që kanë zgjedhur Tiranën, që është ëndërr për ta veshur atë bluzë. Kam parë që edhe futbollistët e ardhur janë ambientuar shumë shpejt, sepse fryma e grupit është shumë e mirë.

Në ndeshjen që po përgatitemi ta zhvillojmë nuk po shkojmë për të luajtur ndeshjen dhe për të ikur në shtëpi. Por po shkojmë me bindje në kokë për të luajtur futboll për 90 e ca minuta. Nëse djemtë vrapojnë dhe japin jo 100 po 200%, frytet vijnë.

Stërvitja fillon sot. Ndeshja filloi për ne që atë ditë kur kemi mbaruar ndeshjen, që në avion. Ata janë kampionë dhe kanë rezultatet e tyre atje ku luajnë dhe urojnë të jenë mirë. Ne kemi rezultatet tona dhe themi se jemi klubi më i madh në Shqipëri dhe klub edhe me emër në Europë. Për këtë dua edhe unë të bëj të pamundurën që të korrim sukses. Asnjë lloj frike nuk ka, futboll është. Ka një gjë të mirë që jemi vetën në 90 apo 120 minuta ndeshje. Këtu s’ka pse të kemi frikë fare, luajmë të barabartë. UEFA ka rregulla shumë strikte.

Në këtë ndeshje do jemi vetëm 10 veta si e ka rregullorja. Ata nuk duan t’ja dinë nëse je presidenti apo nëse je punonjës. Rregullat i kanë edhe për koreografitë. Kështu që dekori brenda stadiumit është i parealizueshëm. Shpresoj që të kënaqim tifozët tanë, t’ja shpërblejmë cfarë bëjnë ata për klubin dhe për gjithë sportdashësit në Maqedoni e Kosovë. Do punojmë shumë me skuadrën për t’i motivuar më shumë, megjithëse ata e dinë se cfarë vlere kjo ndeshje ka. Bonus? Absolutisht. Do e bëjmë të ditur 2 orë përpara se të zhvillojmë ndeshjen

Për të mos u hapur shumë, përqendrimi është te kjo ndeshje. Ne kemi një kontigjent lojtarësh të akademisë sonë. Do bëjmë edhe ura kalimi nëse jepet mundësia për lojtarët. Do e bëjmë me marrëveshje dhe me shumë kujdes. Do vazhdojmë ta bëjmë edhe ne ditët e ardhshme. Nëse do kemi një ofertë konkrete, klubi do vihet në lëvizje për të punuar, por nuk do të tregohemi dorëlëshuar.

A u kënaqën tifozët këtë vit? Po kush është ai që nuk është kënaqur?! Të gjithë shqiptarët janë kënaqur. Unë për vete kur kanë fituar skuadrat e tjera kam thënë, edhe pse i kemi kundërshtar në futboll, kjo është mirë për futbollin shqiptar”, ka deklaruar Refik Halili./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *