Nga prof. dr. Xhevdet Zekaj
Nuk ka mbetur shqiptar që nuk e di tashmë se sa herë marrim pjesë në garat europiane apo botërore të peshëngritjes, duhet të presim se cila do të jetë bloza e radhës, cili do të jetë katrani i zi që do të nxijë sportin shqiptar.
Kjo ndodhi edhe me Evangjeli Veli, përsëri në epokën e presidentit Gjoza. Nuk është rast i rrallë, përkundrazi; nëse ka një president rekord për peshëngritësit shqiptarë që rezultuan me substanca të ndaluara apo doping, ky është Elez Gjoza.
Përtej transperencës që Gjoza përpiqet të bëjë në rastin e fundit, ne jemi më të interesuar për t’i dhënë fund blozës në peshëngritjen dhe sportin shqiptar. Mjaft përdorimit të substancave të ndaluara, që na gëzojnë për pak kohë, kur fitojmë ndonjë medalje, por rrimë me zemër në dorë në pritje të rezultateve anti-doping.
Nuk ka njeri që nuk e di se në presidencën e Gjozës, herën e parë dhe tani, peshëngritësit e kapur me doping e kalojnë numrin 6. Ndodh rastësisht, ndodh se nuk janë në dijeni, ndodh se nuk janë të familjarizuar me substancat e ndaluara, apo ndodh sepse mendojnë se mund t’ia kalojnë pa lagur…, këtë mund ta hamendësoni të gjithë.
Problem i parë serioz është ky: pse e përdori Evangjelia apo sepse ky është metaliteti i peshëngritësve shqiptarë, i drejtuesve të tyre, që për hir të çmimeve, trofeve dhe medaljeve bëjnë gjëra të tilla. Jo çdo mjet e justifikon qëllimin! Kjo është e gabuar.
Ne nuk mund të pajtohemi me blozën që merr peshëngritja, qoftë nga Evangjelia, qoftë nga drejtuesit e lartë. Kur e bën baltë, si nën presidencën e Gjozës, dorëheqja është pak. Sa për transparencën e Gjozës, po ju themi se është e nivelit zero. Nuk informohen institucionet, vetë sportistët, as mediat në kohën e duhur. Gjoza le të rrahë gjoksin sa herë të dojë, madje të shtojë edhe broçkulla kundër Pirro Dhimës dhe Federatës Greke të Peshëngritjes, se na paskan xhelozi dhe na sabotojnë.
Po, ata na kanë xhelozi si shqiptarë për disa gjëra: se kanë terrene stërvitore shumë herë më të mira, stafe trajnuese ku e ku më të përgatitura, që numri i peshëngritësve grekë të kapur me doping është thuajse zero. Ata duan sukses alla Pirro Dhima, që nuk kapen me doping. Ne duam sukses alla Gjoza, me transparencë zero, me përdorim të dopignut dhe substancave të ndaluara.
Neve nuk na intereson konflikti që ka shpërthyer mes palëve, por Gjoza duhej ta mblidhte mendjen mirë dhe të trajtonte e tregonte si do të zgjidhet problemi i dopingut. A ka nder e moral profesional presidenca e peshëngritjes, a duhet të japë dorëheqjen vetë Gjoza, se iu bënë shumë raste të tilla…
Me këtë rast i bëjmë thirrje ministrisë së arsimit dhe sportit, duke i kujtuar se paratë e shpërblimit të merituar të Briken Calja apo të cilitdo kampioni tjetër nuk duhet të kalojnë në llogarinë e FSHP, që t’ua japë kur dhe si të dojë Gjoza i transparencës, por në llogarinë e sportistit.
Ministrja u justifikua vetëm me shkresat e marrjes së vendimit në kohë për shpërblimin e Brikenit, por nuk i kërkoi llogari institucionale presidencës së peshëngritjes pse ia kishte vonuar shpërblimin kampionit tonë të madh. E parë në të gjitha këndvështrimet, alarmi është një: Stop përdorimit të dopingut, stop medaljeve të pamerituara, stop rekordeve me doping. Dhe e fundit, të jepet dorëheqje dhe ministria të ndërhyjë urgjentisht me ligj: atyre presidentëve federatash që iu kapen sportistët me doping, të japin dorëheqjen e detyruar, madje të kalojnë edhe për larg se kaq në vetting.
Ne duhet të heqim dorë edhe nga një shpikje tjetër alla shqiptare. Pra, ish-mundësi Gjoza, tani president, nuk mund të shkojë në Olimpiada, Europianë apo Botërorë që të bëjë trajnerin e sportisit, psikologun dhe fizioterapistin e tij. Ngaqë bëhen punët kështu, rrumpallë, si bloza e FSHP, na dalin sportistë me doping, që ndoshta nuk e dinë se çfarë hanë e pinë, sepse nuk kanë specialistin e duhur mbi krye, por presidentin që bën gjithçka… blozë!