Java e 32-të në Superligën e Kosovës ofronte dy përballje shumë interesante në krye të renditjes.
Drita priste Trepçën ’89, me kampionen në fuqi që nuk kishte ndonjë motivim të veçantë tashmë. Në fund fitoi Drita 3-1, por ishte një ndeshje e çuditshme, sepse Trepça ’89 shkëlqeu në pjesën e parë, duke kryesuar me gol nga Oto Xhon, por në minutat 51 e 61 Astrit Fazliu përmbysi gjithçka, para se Gërbeshi nga pika e bardhë të vuloste fitoren.
Ndërkaq, Liria priste Prishtinën dhe miqtë fituan 1-0 në minutën e 94-t, kur Pefqeli theu Lirinë luftarake, që nuk hapi rrugë, edhe pse nuk ka më synime në kampionat.
Në renditje Drita mbetet e para, 3 pikë mbi Prishtinën, ndërsa javën e ardhshme mbyllet kampionati me finalen e madhe Prishtina-Drita.