E çuditshme ajo që ndodhi dje në Vlorë, pasi drejtuesit e Flamurtarit u duk se mbyllen gjithçka me Ilir Dajën, kishin njoftuar mediat dhe faqja e klubit zyrtarizoi firmën me trajnerin e Skënderbeut. A ndodhi kjo? Realisht firmë nuk u hodh dhe duket se edhe Daja nuk e ka pritur që në Vlorë të gjente të rreshtuar gazetarët që e prisnin.
Ilir Daja, pas takimit me drejtuesit e klubit bregdetar në ambientet e stadiumit Flamurtari, nuk ka pranuar të japë asnjë deklaratë. Ai ka dashur ta lërë gjithçka për më vonë, në momentin kur do të bëhet prezantimi zyrtar i tij. “Nëse do të jem trajner, pa dyshim që do tju njoftoj zyrtarisht, por jemi ende në disa detaje dhe dua mirëkuptimin tuaj, – ka thënë trajneri Ilir Daja. Detajet ndoshta kanë të bëjnë me pika që janë dytësore në kontratën e trajnerit kryeqytetas, apo ndoshta edhe me merkaton. Me ardhjen e Dajës pa dyshim që pritshmëritë janë shumë të mëdha, por gjërat duhen bërë me radhë: së pari firma dhe prezantimi.
Skënderbeu – Po marrëveshja me Skënderbeun? Nuk dihet pse Daja po largohet kaq heshturazi nga Korça dhe nuk ka asnjë deklaratë as nga Skënderbeu, të paktën si falënderim dhe lamtumirë, por ndoshta ky hezitim i Dajës lidhet edhe me Skënderbeun, pasi dëshiron të largohet miqësisht. Ndoshta dje nuk e priste që të gjente gazetarët duke e pritur, apo që faqja e Flamurtarit ta bënte zyrtare firmën e tij. Nxitim, apo diçka e qëllimshme nga Flamurtari?