“Asllani ka një talent të jashtëzakonshëm”, Calhanoglu i del në mbrojtje mesfushorit shqiptar: I ka cilësitë për të qenë lojtar i Interit

Shumë kritika ka marrë Kristjan Asllani në mediat italiane sa i përket performancave të tij me Interin. Gjithashtu edhe tifozët zikaltër kanë pasur gjithmonë pikëpyetje për mesfushorin shqiptar, ndërsa vetë Kristjani i ka parë të gjithë këto reagime si të tepërta. Në një intervistë për mediat italiane, Calhanoglu, mesfushori kryesor i Interit, i ka dalë në mbrojtje Asllanit.

Marrëdhënia mes të dyve këtyre lojtarëve është shumë e mirë, pavarësisht konkurrencës për të njëjtin rol. “Unë e falënderova Asllanin për atë që tha për mua, se po e ndihmoj. Ne gjithmonë jemi këtu për të ndihmuar ata që kanë më pak eksperiencë, nuk është e lehtë për Asllanin sigurisht, por ai ka një talent të jashtëzakonshëm dhe i ka kualitetet për të qenë lojtar i Interit. Ne po e ndihmojmë, Asllani meriton më shumë se kaq, por duhet të vazhdojë kështu”, tha Calhanoglu. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/