Porta e Erzenit është futur në një kasafortë dhe askush nuk e di kodin për ta hapur. Katër javë, zero gola të pësuar. Vllaznia nuk arriti dot që të godiste njëherë në portën e tyre, madje as Partizani dhe Skuka që e njeh aq mirë rrjetën, ndaj Erzenit nuk mundi dot që të shënonte. Kjo do të thotë diçka, megjithëse jemi ende në javët e para të kampionatit.
Një situatë e çuditshme mund të quhej ajo e klasifikimit teksa Erzeni, Bylis dhe Egnatia ndajnë vendin e 2, 3 dhe 4. Ndërkohë ekipet që kërkojnë titullin kampion ndodhen në zonën e ftohtë, Laci, Teuta dhe Kukësi. Gjithmonë jemi mësuar që përrallat e vërteta në Superiore nuk zgjasin shumë. Ekipet “të vogla” në letër, pavarësisht arritjeve të mëdha që mund të kenë në një fazë të kampionatit, në fund nisin që të humbin shumë terren për të mos e prekur më së paku Europën.
Po a ka ardhur koha që t’ia urojmë tani Europën ekipeve si Erzeni, Bylis, Egnatia dhe Kastrioti? Pas asaj paraqitje të fundit të ekipeve shqiptare, me siguri që po. Vitet e fundit na kanë treguar se më i suksesshmi i Superiores ka qenë Laçi, që në kontrast me ekipet e tjera shqiptare nuk ka pasur shumë cilësi në letër, por nuk i ka munguar grinta. Që të fitosh në futboll kërkohet sakrifica, shpirti në fushë dhe të japësh gjithçka nga vetja. Një gjë është e sigurt, të gjitha ekipet e sipërpërmendura mund të arrinin shumë më tepër në fazat europiane sesa “të mëdhatë” që jemi mësuar të shohim deri tani. /Sport Ekspres/