Kryeqyteti vishet përsëri me ngjyrën e kuqe, teksa Partizani ka mpshtur 1-0 Tiranën në “Elbasan Arena”. Ndeshja ka pasur një fytyrë krejt ndryshe nga ajo përballje e parë mes këtre dy skuadrave, pasi në fushë nuk ka munguar zjarri i një sfide të tillë apo spektakli nga të dy krahët. Në përfundim të takimit kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport” protagonistët e ndeshjes.
Ilir Daja (Partizani): “Përveçse ishte ndeshje e radhës dhe na kënaqin tri pikët, derbi ka një bonus psikologjik të madh. Por të shikojmë 90-minutëshin, kemi qenë superiorë, me shumë situata para porte në raport me kundërshtarin. Ishte fitore me rezultat dhe lojë.
Për vonesën në ndërrime, po bisedoja me stafin. Bashkë vendosëm që, meqë Çinari e Junior nuk kanë patur minuta prej shumë muajsh, më mirë të fusnim në fillim Carën, sepse do të ishte risk nëse do t’i aktivizonim të dy. Njoftimi zyrtar për Çinarin erdhi vetëm një ditë para derbit dhe nuk mund të ndryshonim atë që kishim bërë gjithë javës.
Kartonët e kuq? Po merrem vetëm me lojtarin tim. Kur e kam parë përsëritje, portieri ka dalë përpara Bardhit, ai ka qenë duke vrapuar, nuk e ka parë. Arbitri mund ta kishte kaluar këtë episod. Biseda me Asanin? Një lojtar me mentalitet fituesi është e vështirë ta pranojë ndërrimin, sidomos në derbi. Po punonte shumë, më të dyja fazat e lojës. I thashë që na duhej të bënim gjëra të tjera, na duhej forcë fizike për të fituar ndeshjen.
Sa i përket Malës, ai është raskapitur, ka bërë shumë punë. Po mendoja që të ktheja Brojën në qendër të mbrojtjes e të aktivizoja Idrizajn, por fola me Idrizajn ai është një djalë i shkëlqyer, dhe vepruam ndryshe. Tirana jashtë garës? Atë e di stafi i Tiranës. Ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të mendojmë për ndeshjen me Teutën“, ka deklaruar Ilir Daja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/