“Asambleja e KOKSH-it është e paligjshme”, Bezhani: Të ulin kokën dhe të largohen me turp, SPAK-u të hetojë miliardat

KOKSH-i vazhdon të mos njohë vendimin e marrë nga CAS-i, gjykata më e lartë sportive. Kjo e fundit rrëzoi vendimet e marra në asamblenë e mbajtur më 10 janar 2021, kur edhe u shkarkua nga detyra presidenti i atëhershëm, Viron Bezhani. Por vendimi i marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë është shpërfillur nga KOKSH-i, që tashmë ka thërritur asamblenë e zakonshme vjetore. Viron Bezhani e konsideron tërësisht të paligjshëm këtë veprim të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ish-presidenti i këtij institucioni ka thënë se çdo vendim i marrë pas datës 10 janar 2021 duhet të çrregjistrohet. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje institucioneve qeveritare që të reagojnë në lidhje me këtë çështje të rëndësishme,

“Është një vendim i datës 17 qershor 2024, që shpall të pavlefshme Asamblenë Statutore dhe Zgjedhore të fundi të komitetit Olimpik. Ajo që më habit më tepër dhe që me të vërtetë skandalizohem është arroganca ose mospërfillja, kur përdorin ish presidentin e Komitetit Olimpik për të thirrur asamblenë e radhës. Një asamble analize vjetore. Çdo vendim i marrë nga ajo Asamble e datës 10 në 2021-shin e më pas, është i paligjshëm. Të gjithë vendimet duhet të çregjistrohen, përfshi këtu edhe vendimi për regjistrimin e presidentit, apo edhe vendime të aktivitetit financiar. Nga Asambleja e Jashtëzakonshme, çdo vendim i marrë, është i paligjshëm.

Duhet të theksojmë se nuk ka të drejtë të thërrasë asnjë gjë dhe këtë e kupton çdo njeri. Nuk ka çfarë të thërrasë, sepse ia ka hequr vulën tjetërkush. Ia ka hequr këtë vulë një gjykatë më e lartë se kushdo dhe këta nuk kanë më çfarë të bëjnë, ndonëse mendojnë se mund të abuzojnë. Duhet të ulin kokën dhe të ikin me turp. Normalisht që do të thirrej ish-presidenti dhe do të bëheshin veprimet e duhura ligjore, pasi do të çregjistroheshin veprimet e marra pas Asamblesë së 2021-shit. Pas këtij hapi, do të bëheshin hapat për zgjedhjet e reja, pasi këtu bëhet fjalë për t’i dhënë bazë ligjore Komitetit Olimpik.

Duhet të ketë një ministri që duhet të ruajë fytyrën e saj dhe shtetin shqiptar. KOKSH-i dhe ai president nuk kanë fytyrë dhe duan të mbrojnë me çdo kusht pozitat e veta. Duhet mbrojtur shteti, pasi nëse shkohet në Lozanë për veprimet e pas këtij vendimi, do të jetë një turp për shtetin shqiptar. Janë dhënë shumë lekë. Kur unë merrja zero lekë nga shteti shqiptar, këtu janë dhënë miliarda. I takon SPAK-ut të hetojë se si janë shpenzuar këto miliarda”, ka thënë Viron Bezhani, citon “Supersport”-i./Sport Ekspres/