Një tjetër trofe në duart e lojtarëve të Realit të Madridit. Pas Ligës së Kampionëve, tashmë “los blancos” kanë fituar edhe Super Kupën e UEFA-s. Gasperini njihet për strategjitë e tij fituese, të cilat pak muaj më parë mposhtën edhe ekipin e vetëm që nuk kishte pësuar asnjë humbje gjatë gjithë sezonit, Bajer Leverkusenin. Por as strategjitë e Gasperinit nuk mundën t’i bënin dot ballë “mbretërve të Eurpës”.
Pjesa e parë përfundoi me rrjeta të paprekura, ndërsa në të dytën nuk pati tolerime nga ana e Realit. Në minutën e 59, Viniciusi bën një driblim mjaft të bukur në zonë dhe më pas e dërgoi topin te Valverde. Ky i fundit, i gjendur pak metra larg portës së zbrazur, nuk mund të bënte gjë tjetër veçse ta shtynte topin në rrjetë. Ndërkohë, në minutën e 68 ishte Kilian Mbapeja ai që vulosi shifrat përfundimtare në 2-0. Gjimshiti humbi kështu mundësinë të fitonte trofeun e dytë me Atalantën, ndërsa Reali i Madridit vazhdon të tregojë dominimin e tij në Europë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/