Artur Çobani: Fitoren e parë ia marrim Kukësit në “Roza Haxhiu”

Ish-presidenti dhe ish-futbollisti i Lushnjës beson se kthesa e madhe është bërë dhe pret suksesin në ndeshjen e parë në shtëpi

Arjan Likja

Barazimi ndaj Partizanit, pa as më të voglin dyshim, është konsideruar si fitore në kampin verdhejeshil. Lushnjarët, me pretendime modeste, me një sforcim gati në heroizëm, kanë sfumuar çdo përpjekje të Partizanit për të shënuar dhe në fund kanë marrë një pikë në kryeqytet. Mbrojtja në bllok, madje edhe sulmuesit Sefa e Pepa hera-herës ishin në prapavijë, bëri që Lushnja te kthehej me pikë nga transferta e kuqe, duke zhytur në krizë Partizanin e bumit mediatik. Pas takimit, trajneri Artan Bano ka vrapuar në dhomat e zhveshjes dhe, duke vepruar jashtë natyrës së tij, i ka falënderuar të tijtë për barazimin, që vlen më shumë në aspektin psikologjik. Lushnja ka qenë pushim dje, ndërsa sot nisin përgatitjet për Kukësin, kundërshtarin e parë që vjen të luajë në “Roza Haxhiu” për këtë kampionat.

ARTUR ÇOBANI – Afrimi i juristit Artur Çobani në strukturat drejtuese të Lushnjës ka kompaktin e vet në imazhin e klubit myzeqar. Ish-futbollisti dhe ish-presidenti i Lushnjës, tashmë në rolin e koordinatorit sportiv, e ka ndjekur me fanatizëm Lushnjën në të 4 takimet e deritanishme. Prezenca dhe autoriteti i tij ndikojnë pozitivisht te skuadra myzeqare, që gjithashtu ndjejn dhe presionin e rezultatit dhe vihet para përgjegjësisë. Çobani, i cili për “Sport Ekspres” kritikon kritikon ashpër gjykimin në futbollin tonë, ishte ndër të paktët që parashikoi rezultatin pozitiv ndaj Partizanit. Ai u premton tifozëve lushnjarë fitoren e parë në ndeshjen me Kukësin në stadiumin “Roza Haxhiu”, kur thekson: “Ekipi dalëngadalë po merr formë. Në ndeshjen tjetër do vijë fitorja e parë. Ndeshja me Kukësin do të luhet në “Roza Haxhiu”, para publikut të zjarrtë dhe të mrekullueshëm lushnjar,  që pret rezultate më të mira. Besimi dhe morali i skuadrës është se pas dy barazimeve do të vijë fitorja. Koha e pushimit do shërbejë për të rikuperuar ato defekte, në mënyrë që ndeshja e radhës ta gjejë skuadrën në parametra optimalë. Stafi drejtues ka besim të plotë për vazhdueshmërinë e ekipit, sigurisht duke qëndruar me “këmbë në tokë”. Kemi shumë punë për të bërë, në mënyrë që të bëjmë të mundur arritjen e rezultateve që pretendojmë, në funksion të objektivit të kampionatit. Natyrisht, rruga është e gjatë dhe kërkon durim, sakrificë dhe përkushtim.  Kam besim se të gjithë se bashku do t’ia dalim”, – është shprehur koordinatori sportiv i Lushnjës, Artur Çobani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *