Arsenali reziston, beteja në “Bridge” mbyllet pa fitues

Çelsi dhe Arsenali barazojnë pa gola. Finalisti vendoset në takimin e kthimit në “Emirates Stadium”

Çelsi dhe Arsenali kanë barazuar 0-0 në ndeshjen e vajtjes në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, duke bërë që fati i ekipit të kualifikuar për në finale të vendoset pas dy javësh në fushën e “Topçinjve”. Çelsi ka qenë skuadra më e mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes, por nuk ka mundur të kapitalizojë mundësitë e krijuara, veçanërisht në pjesën e dytë. Arsenali nga ana e vet është paraqitur mirë në pjesën e parë dhe ka lëshuar disi në të dytën, por ka ditur t’ia hedhë paq në “Stamford Bridge” dhe tani luan gjithçka para publikut të vet pas dy javësh.

Sançez në stol – Trajneri Venger – në tribunë për shkak të pezullimit me 3 ndeshje – e ka nisur me një surprizë, duke ulur në stol Aleksis Sançez. Për anglezët është dëshmia e radhës së kiliani po kalon ditët e fundit te Arsenali, në pritje të bashkimit me ekipin e tij të ri, Mançester Sitin.

Fabregas shansin më të mirë – Pjesa e parë e takimit në “Stamford Bridge” nuk ka prodhuar gola dhe shumë raste për shënim. Megjithatë ajo ka qenë mjaftueshëm tërheqëse, sepse skuadrat nuk janë kursyer aspak në fushën e lojës. Ritmi ka qenë i lartë që në fillimin e takimit, me Çelsin që është përpjekur të vërë nën presion Arsenalin. Drinkuoter dhe Kante janë bërë zot në mesfushë, por pa krijuar probleme të mëdha për Ospinën përpara. Me kalimin e minutave edhe Arsenali i kundërpërgjigjet Çelsit dhe krijon një barrierë në mesfushë. Lakatet ka një mundësi të mirë në mesin e pjesës së parë, por pa sukses (22’). Minuta e 39-të sjell dhe nj moment delikat, kur gjyqtari Atkinson ka kërkuar ndihmën e “VAR” pas pretendimeve të Arsenalit për një penallti në favor të Iuobit. Por asgjë për t’u shënuar, teksa në stadium ndihen ovacionet ironike “VAR”, “VAR” të tifozëve vendas. Rastin më të mirë në 45 minutat e para e ka një ish, Çesk Fabregas, por spanjolli nuk arrin të shënojë në pozicion të volitshëm.

Çelsi dominim steril – Në pjesën e dytë Çelsi futet me një tjetër qasje në fushë dhe shtyn përpara, duke e detyruar Arsenalin të tërhiqet në mbrojtje. Hazard nis të marrë më shumë përsipër dhe “Topçinjtë” gjenden në vështirësi. Me radhë Morata, Hazard, Viktor Mozes e Fabregas tentojnë në të gjitha mënyrat për të mposhtur Ospinën. Venger vendos të hedhë Aleksis në fushë në vend të Lakazet anonim. Por është Çelsi që dikton ritmin e lojës, ndonëse pa gjetur rrugën e golit.  në fund gjithçka mbyllet pa gola dhe tashmë fati i finalistit do të vendoset në takimin e pas dy javëve në “Emirates Stadium”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *