Duhej të kualifikohej Arsenali, natyrisht, sepse kishte fituar 2-0 në San Siro dhe ishte e vështirë që italianët të bënin mrekullinë në Emirates Stadium. Megjithatë, i shkuan pranë fillimisht, sepse kur Çalhanoglu shënoi në minutën e 35-të gjithçka dukej e mundur, aq më tepër që Arsenali nuk po shkëlqente dhe dukej qartë që Milani po merrte zemër.
Gjithsesi, në minutën e 39-të arbitri Jonas Erikson vendosi të kualifikonte Arsenalin para kohe. Deni Uellbek u rrëzua në zonë në mënyrë qesharake, aq sa edhe kartoni i verdhë për simulim do të ishte pak, por çuditërisht arbitri suedez akordoi një penallti të turpshme. Për ata që nuk e duan VAR-in, të shohin edhe një herë penalltinë që mori Arsenali…
Vetë Uellbek barazoi dhe praktikisht aty mori fund, edhe pse Milani tentoi dhe rrezikoi. Për të mbyllur gjithçka mendoi Xhixhio Donaruma, sepse një gjuajtje e lehtë e Granit Xhakës nga distanca nuk u ndal si duhej nga portieri kuqezi dhe gol në minutën e 71-të. Në minutën e 86-të erdhi edhe goli i tretë, sërish me Uellbek, hajduti i mbrëmjes.
Eliminim me dy humbje, i pritshëm, por shumë i hidhur, sepse nga një arbitër me qindra ndeshje kombëtare e ndërkombëtare në CV nuk pritej një gafë e tillë.