Arsenali ka të njëjtën histori, sinqeriteti i Xhakës: Nuk e donte askush topin, ishim të frikësuar!

Historia e Arsenalit vazhdon në “Premier League” dhe një “sëmundje” që nuk gjen kurrë shërim. Sado përpara të jetë në avantazh kjo skuadër, asnjëherë nuk i jep sigurinë tifozëve se do të fitojë ndeshjen.

Kjo ndodhi edhe kundër Watfordit. Megjithëse ishin duke triumfuar në rezultatin 0-2, vendasit kanë arritur të barazonin rezultatin në pjesën e dytë, madje duke qenë edhe shumë afër përmbysjes së madhe. Mesfushori me origjinë shqiptare dhe kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka, ka bërë edhe një rrëfim të sinqertë për gabimet e mëdha që janë kryer gjatë këtyre 90 minutave.

“Në pjesën e parë kemi shkuar në dhomat e zhveshjes të lumtur dhe gjithçka ishte mirë. Por tani mund të themi se jemi të lumtur edhe me një pikë. Ne ishim të friëksuar në pjesën e dytë, askush nuk e donte topin. Të gjithë e dinim se ata do të na sulmonin, pasi nuk kishin asgjë për të humbur. Por ky është futbolli, asnjëherë nuk duhet të jesh i frikësuar në fushë”, ka thënë Granit Xhaka. /Sport Ekspresi/