Tirana është surprizuar ditën e sotme nga ekipi i sapongjitur në Superiore, Apolonia. Fierakët fituan me rezultatin 0-2 në miqësoren mes dy skuadrave, duke treguar që tani dëshirën e madhe për të bërë mirë në sezonin e ri të kampionatit shqiptar. Në përfundim të takimit Emanuel Egbo ka folur për mikrofonin e “RTSH”, duke u shprehur se kjo humbje nuk e shqetëson aspak, pasi ka tjetër synim një ndeshje miqësore nga ajo zyrtare.
Ndërkohe trajneri nigerian beson se mund të mbërrijë në grupet e Europa League me këtë ekip, ku thekson se bazën e ka të ngritur dhe nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga formacioni i vitit të shkuar. Më tej Egbo nuk veçon asnjë ekip si pretendet kryesor për titullin kampion në sezonin që do të vijë, pasi sipas tij gati të gjitha skaudrat janë rivalë për trofeun.
“Ndeshja sot ishte për të parë çfarë kemi dhe çfarë nuk kemi. Kishim mundësinë të shihnim të gjithë lojtarët që kemi në dispozicion sot. Nga ndeshja tjetër do fillojmë të kemi një ide pak të qartë. Nuk jam i mërzitur fare për rezultatin se ishte një ndeshje miqësore. Prandaj është një ndeshje miqësore, për të parë në ekip çfarë duhet e çfarë nuk duhet.
Lojtarët që po vijnë nga akademia duhet t’i provonim. Jemi ekip që edhe vjet kemi provuar lojtarë nga akademia dhe kanë qenë të suksesshëm. Edhe ata lojtarë që kanë ardhur nga Gana ishin dje në stërvitjen e parë dhe sot i pamë në fushë. Nuk mund ta gjykoj një lojtar me 1 apo 2 paraqitje. Kështu që do të kemi prapë ndeshjet e tjeral. Deri kur të mbyllet merkato atëherë do të flasim nëse është përmbushur çdo aspekt për ekipin.
Mund të arrijë Tirana grupet e Europa League? Normalisht, sepse kemi bazën. Sot kemi bërë eksperiment për të parë shumë lojtarë në fushë. Kur të kemi ndeshje zyrtare do fusim 11 lojtarët më të mirë që kemi. Kemi bazën dhe ndoshta 1 apo 2 mund të futen shtesë në formacion me ata që fituan titullin. Pastaj për të parë se kush do të jetë zëvendësues nëse një lojtar mungon apo është i dëmtuar kjo është gjë tjetër.