Ledian Memushaj lë Peskarën pas 103 ndeshjesh dhe 19 golash. Mesfushori ka dhënë me kohë miratimin për transferimin te Benevento në Serinë A dhe tashmë edhe dy klubet kanë rënë dakord që kapiteni i Peskarës në dy sezonet e fundit të transferohet te klubi ku luan edhe Berat Gjimshiti.
Një dashuri e gjatë ajo ms Peskarës dhe Memushajt, por futbollisti i kombëtares sonë është në një moshë që nuk dëshiron të luajë më në Serinë B, të paktën edhe për pak sezone. Te Benevento, ndër të tjera, gjen edhe trajnerin Marko Baroni, trajneri i parë që gjeti te Peskara
Tani Benevento e merr në huazim me detyrim blerjeje, për një shifër totale prej 700.000 eurosh. Kjo do të thotë se Peskara del gjysmë milion euro fitim, duke pasur ndërmend që Memushaj u ble për 200.000 euro nga Leçe para dy vitesh. Gjithashtu, kontrata “e rëndë” e Memushajt ishte e vështirë për t’u përballuar nga Peskara, që nuk ka ndonjë buxhet të madh për Serinë B.
Tashmë 31-vjeçari nis një aventurë të re, aspak të thjeshtë, sepse Benevento konsiderohet një ndër skuadrat më të rrezikuara për qëndrim në Serinë A, por Memushaj është mësuar të rrezikojë dhe shpesh i ka fituar bastet e tij.