Armando Broja trajtohet si rasti i Alvaro Moratës, Chelsea e lejon që Southampton të blejë kartonin me një “hile”

Në konferencën për shtyp të trajnerit Tuchel para ndeshjes me Brighton është folur edhe për Armando Brojën. Trajneri i Chelsea-t lëshoi sinjale të forta për drejtuesit e klubit se sulmuesi do të jetë pjesë e ekipit të parë nëse do të ketë vazhdimësi deri në fundin e sezonit. Por nga ana tjetër Southampton po ngulmon për ta blerë Brojën që në merkaton e dimrit.

Arsyeja? E thjeshtë! Vlera e kartonit të sulmuesit vetëm po rritet, tanimë nuk shitet për më pak se 20 milionë euro dhe mbi të gjitha po rriten interesimet nga klubet e tjera. Mediat pranë klubit të Chelsea-t bëjnë me dije se edhe nëse Chelsea do të lejojë blerjen e kartonit të Brojës, do të ketë një hile si në rastin e Alvaro Moratës te Juventus-Real Madrid.

Pra marrëveshja do të jetë që nëse Chelsea dëshiron ta riblejë kartonin e Brojës, çmimi do të jetë fiks i përcaktuar dhe vlera e tij nuk mund të rritet më tepër, vetëm për Chelsean. Sipas raportimeve të para kjo vlerë do të shkojë rreth 40 milionë paund. Në rast se Broja do të shitej te Southampton në merkaton e dimrit dhe do të vazhdojë shpërthimin deri në fundin e sezonit, Chelsea mund ta rikthejë me 40 milionë paund, megjithëse shifra e tij në treg mund të jetë dyfish më e lartë. Në të kundërt, londinezët mund t’i gëzohen parave të fituara nga shitja e tij. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *