Krishtlindjet e kanë gjetur Juventusin në një periudhë aspak pozitive. Humbja me Fiorentinën solli edhe irritimin e Pavel Nedved, i cili i acaruar nga vendimet e gjyqtarit La Pena la stadiumin përpara kohe. Por pas violëve nuk ka gjetur paqe as një ditë më vonë, teksa situata është përsëritur edhe me 23-vjeçarët. Juventusi U23 ka humbur në minutët e fundit kundër Renates, që ka fituar një penallti në minutën e 85-të.
Nga pika e bardhë ishte një shqiptar ai që do të gjuante topin. Elvis Kabashi tregohet i saktë nga penalltia dhe i dërgon shifrat në 1-2, duke i shkaktuar kështu bardhezinjve të vegjël humbjen e tretë radhazi në Serie C. Mesfushori shqiptar është një emër që në kampin juventin e njohin mirë, teksa ka qenë pjesë e akademisë së “zonjës së vjetër“.
Mirëpo Nedved nuk e ka pritur aspak mirë këtë 11 metërsh të akorduar për skuadrën e Renates, duke përsëritur skenën e një ndeshjeje më parë ndaj Fiorentinës. “Nuk kam parë ndonjëherë të dhurohet një penallti e tillë. Topi kishte shkuar në mesfushë pa e dalluar akoma gjyqtari i ndeshjes“, ka thënë zëvedëspresidenti çek i Juventusit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/