Kemi gjithë sezonin që në Shqipëri bërtasim: “Arbitra të paaftë, arbitra kamikazë, arbitra pa cipë”. Kaq, sepse gjithçka ndalet aty, arbitrat e shumta bëjnë nja 2 ndeshje pushim dhe pastaj kthehen, duke mos e vrarë mendjen fare, edhe pse shkatërrojnë ndonjë një sezon të tërë për skuadra të caktuara.
Ndërkaq, nga Serbia na vjen një leksion i shkëlqyer. Një arbitër karagjoz dhe i paaftë, ose i korruptuar, Sërxhan Obradoviç, drejtoi fundjavën e kaluar një finale të vërtetë për një vend në Europa League, Spartak Subotica-Radniçki Nish.
Në ndeshjen më të rëndësishme të javës duhej të drejtonte arbitri më i mirë serb, Milorad Mazhiç, por në mënyrë misterioze ky u zëvendësua nga Obradoviç, që në Serbi është një personazh shumë negativ, pasi ka shumë ndeshje me arbitrim të dyshimtë.
Pas një pjese të parë shumë të luftuar, që nuk prodhoi gola, në fillim të pjesës së dytë Obradoviç largoi me karton të kuq portierin mik duke i dhënë dy kartonë të verdhë rresht, në një kohë që portieri shihte i habitur.
Mbaroi aty? Jo, misioni duhej kompletuar: dy penallti për Spartak Suboticën (fitoi 2-0 dhe shkon në Europa League), të dyja qesharake, por e dyta është një çmenduri e vërtetë, duhet ta shihni vetë që ta besoni!
Pas ndeshjes policia e priste para stadiumit dhe Obradoviç përfundoi në burg, direkt. 30 ditë burg për momentin, por nuk dihet më tej, ndërsa karriera si arbitër ka marrë fund.
Edhe ministri i brendshëm serb, Nebojsa Stefanoviç, ka ndërhyrë: “Sërxhan Obradoviç dyshohet se ka abuzuar me autoritetin e tij në ndeshjen mes Spartak Suboticës dhe Radniçki Nishit, duke ndihmuar ekipin vendas”.
Nga gjykata e Novi Sadit kanë sqaruar se masa me 30 ditë burg është dhënë që “arbitri të mos ndikojë ndaj dëshmitarëve”. Historia nuk merr fund kaq lehtë, do të zhvillohet një hetim i thellë, për të zbuluar nëse Obradoviç ka vepruar qëllimisht ashtu.
Ndërkaq, 45-vjeçari Milorad Mazhiç do të drejtojë finalen e Champions League, Real-Liverpul, por UEFA ka bindjen se është arbitri i duhur.